KADRIU MBI “PASIVIZIMIN DISKRIMINUES”: PO SHLYHEN SHQIPTARËT QË ME VITE NUK JETOJNË NË BUJANOC, PRESHEVË DHE MEDVEGJË

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc 17 janar 2022. – Kustrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes “Vatra”, me vetëdije apo pa vetëdije, demantoi se shteti i Serbisë qëllimshëm dhe në mënyrë joligjore ia ka pasivizuar vendbanimin shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, çështje kjo për të cilat përfaqësuesit e tyre politikë kanë folur për një kohë të gjatë.

Ai në një emision në televizionin Klan Kosova ka thënë se në Gjilan që nga viti 1999 jetojnë 455 persona të cilëve në dy vitet e fundit u është pasivuar vendbanimi në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

– Ky proces më së shumti ka prekur banorët e Kosovës lindore (Bujanoc, Preshevë, Medvegjë), të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës, sepse kanë qenë objektiv i lehtë i MPB-së së Serbisë, që mos t’i gjejë në shtëpitë e tyre, pasi që janë shpërngulur nga vendbanimet e veta në vitin 1999. Vetëm në dy vitet e fundit në Gjilan kemi 455 banorë, të cilëve u janë çaktivizuar vendbanimet – tha Kadriu.

Ai theksoi se Serbia zbaton pasivizimin e vendbanimit qytetarëve që nuk jetojnë në vendbanimet në të cilat kanë jetuar deri në vitin 1999.

Siç thotë ai, kthimi i tyre është penguar nga “mungesa e sigurisë”.

Sipas vlerësimeve të bëra më herët nga anëtarët e Lëvizjes “Vatra”, që nga viti 1999 në Kosovë kanë emigruar rreth 12 mijë shqiptarë nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja.

Bujanovaçke më herët kishte raportuar se qeveria në Prishtinë në fund të vitit ka miratuar një projekt-dokument që do t’u mundësojë shtetësinë kosovare qytetarëve të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, të cilët kanë jetuar në Kosovë të paktën pesë vjet që nga viti 1999.

Liderët politikë shqiptarë në Bujanoc, si deputeti Shaip Kamberi, kryetari Nagip Arifi dhe kryetari i Këshillit kombëtar shqiptar Ragmi Mustafa, kanë thënë vazhdimisht se pasivizimi selektiv diskriminon komunitetin shqiptar të Serbisë.

Siç tha Mustafa më herët, qëllimi i kamufluar i pasivizimit është zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Zyrtarë të shtetit të Serbisë, përfshirë ministren e Dialogut social, Gordana Çomiq, e hedhin poshtë këtë akuzë dhe pretendojnë se pasivizimi është bërë sipas ligjit dhe se nuk është i drejtuar kundër shqiptarëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *