Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc 18 janar 2022. – Pas rekordit të ri për nga numri i rasteve pozitive në baza ditore, që nga fillimi i epidemisë, me 42 raste të reja me Covid- 19 të hënën në Bujanoc, në Shtëpinë e shëndetit, thonë se pritet vendimi i Shtabit republikan të krizave për marrjen e masave të mundshme shtesë kundër kësaj epidemie.
– Në bisedë me kryetarin Nagip Arifi, u pajtuam që të presim seancën e nesërme të Shtabit republikan të krizave dhe rekomandimet e tyre, dhe po ashtu nëse është e nevojshme të reagojmë me masa shtesë – tha dr. Daliborka Pavlloviq, drejtoreshë e Shtëpisë së shëndetit.
Sipas saj, problemi më i madh është kujdesi shëndetësor primar sepse ka një presion të madh në ambulancë.
Në Ambulancën Kovid në Bujanoc, të hënën janë kryer 167 ekzaminime – 149 të rritur dhe 18 fëmijë, ndërsa numri i përgjithshëm i ekzaminimeve që nga fillimi i muajit është 1704.
Nga fillimi i vitit numri i të prekurve në komunën e Bujanocit është rritur në 138 raste.
Në 24 orët e fundit nga territori i Qarkut të Pçinjës për Covid – 19 janë testuar 828 persona, ndërsa sipas rezultateve u konfirmuan 370 raste të reja.
Sipas numrit të të prekurve, ende kryeson Vranja – 206, e ndjekur nga Surdulica me 74, Vlladiçin Hani me 20, Tërgovishta me 16, Bosilegradi me 12 dhe Presheva me 7.
19 pacientë janë shtruar në spitalin Kovid në QSH Vranjë.
Të gjithë janë të prekur nga virusi Covid – 19 dhe kanë pneumoni, ndërsa 7 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjen.
Në 24 orët e fundit 5 pacientë janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa tre janë liruar për trajtim në shtëpi.