Bujanoc, 12 nëntor 2022. Rritja e rrymës për amvisëritë dhe ekonominë me shumë gjasa do të vijë që në janar të vitit të ardhshëm, shkruajnë mediat beogradase.
Pritet që çmimi i energjisë elektrike të rritet për 10 për qind, raporton Novosti.
Në vend të 95 euro, sa është tani, bizneset do të paguajnë 105 euro për megavat orë energji elektrike, ndërsa qytetarët do të paguajnë rreth 41 euro për megavat orë energji elektrike, pa taksa dhe tarifat e rrjetit, sipas kësaj media.
Sindikata e Punëdhënësve të Serbisë thekson se rritja e çmimit të energjisë elektrike do t’i rëndojë bizneset tona, të cilët nga viti i ri do të kenë shpenzime të reja për shkak të rritjes së pagave, si dhe rritjes së çmimeve të lëndëve të para që kryesisht importohen.
Oda Ekonomike e Serbisë vlerëson se është domethënëse që rritja e çmimit është e kufizuar dhe se ne do të vazhdojmë të jemi ndër vendet me çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Evropë, shkruan gazeta beogradase.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të javës së kaluar tha se është e mundur që çmimi i energjisë elektrike të rritet nga tetë deri në dhjetë për qind.
Rritje të çmimeve ka paralajmëruar edhe ministrja e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviq Negre.