SI PO FRESKOHEN BUJANOCASIT: ME UJ, ME VENTILATOR DHE SALLATË ME KASTRAVECA

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 19 korrik 2023. – Temperaturat e larta mbi 35 gradë C, i detyrojnë bujanocasit të gjejnë pak freski në mënyra të ndryshme. Mbyllja në shtëpi, ventilatorët, uji i ftohtë, kondicionerët dhe shmangia e sforcimeve fizike është ajo që më së shumti praktikojnë bashkëqytetarët tanë. Mëngjesin e së mërkurës në shesh gjetëm vetëm bashkëqytetarët tanë të moshuar.
– Nuk është aspak mirë, njerëzit po bien nga kjo vapë. Unë dal vetëm kur e kam me patjetër, tani kam dalë të marr ilaçet dhe menjëherë kthehem në shtëpi, kam një vend të freskët gjithë pasdite – thotë për Bujanovacke Trajçe Nedelkoviq (75) nga Rakoci dhe shton se uji i ftohtë, rroba të lehta dhe sallata me kastravec janë receta e tij për ditët e nxehta.
Adashi i tij, Trajçe Saitoviq (54) nga Bujanoci, të cilin mëngjesin e sotëmm e gjetëm në shesh, thotë se mezi e përballon vapën dhe se pjesën më të madhe të ditës e kalon në shtëpi. Uji i ftohtë është e vetmja gjë që i pëlqen këto ditë.
Zonja Zvezdana del vetëm në mëngjes për të blerë ushqime dhe me shpejtësi kthehet në banesën e saj, ku nuk del deri në orët e mbrëmjes. Ajo freskohet me ventilator, ndërsa probleme shtesë me temperaturat e larta, siç thotë ajo, i shkakton fakti që nuk ka ujë dhe se duhet të presë deri në orët e vona të natës për të bërë dush.
Foto: Vetëm hije e trashë
– Është shumë e vështirë kur temperaturat janë kaq të larta, ftoh veten vetëm me ventilator, do të ishte më e lehtë nëse do të kishim presion normal të ujit, që të bënim dush gjatë ditës. Kështu jam e detyruar të pres deri në orën 12 të mbrëmjes për të bërë dush dhe për të larë e pastruar diçka – ka thënë Zvezdana për portalin tonë.
Divna Gjokiq (77), e cila jeton në qendër të Bujanocit dhe është një nga fatlumet që ka ujë, i thotë Bujanovaçkes se çdo mëngjes dhe mbrëmje del para ndërtesës për t’u freskuar dhe kalon pjesën më të nxehtë të ditës ne apartamentin e saj.
– Unë dal në mëngjes dhe në mbrëmje, ndërsa kur jam në apartament hapim dyer e dritare, bëjmë një rrymim të ajrit, pimë ujë të ftohtë dhe bëjmë dush, çfarë të bëjmë tjetër – thotë Divna.
Në Serbinë juglindore sot, alarmi i kuq i motit paralajmëron sërish për temperatura të larta. Rekomandohet të mos dilni nga shtëpia nëse nuk është absolutisht e nevojshme gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, nga ora 10:00 deri në orën 18:00.
Në Bujanoc sot pritet maksimumi 37 gradë Celsius, ndërsa për të enjten dhe të premten parashihet mot me vranësira të pjesshme me temperatura gjithashtu deri në 37 gradë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *