PËRMES APLIKIMIT ME PROJEKTIN E HARTUAR PREJ SAJ, IVANA TASHKOVIQ SIGURON 600.000,00 DINARË PËR PAISJEN E BIBLIOTEKËS

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 21. dhjetor 2023. – Biblioteka “14. Nëntori” në Bujanoc, institucion që ka mbi 70 mijë tituj në gjuhën serbe dhe shqipe, ka marrë pajisje të reja në vlerë prej 600 mijë dinarë. Mjetet janë miratuar nga Ministria republikane e Kulturës dhe komuna e Bujanocit.

– Projektin “Modernizimi i kushteve të punës në Bibliotekën “14 Nëntori” e kam shkruar në fund të shkurtit, kështu që pas miratimit përfituam fonde në qershor. Nga Ministria e Kulturës kemi marrë 450 mijë dinarë, ndërsa nga Komuna e Bujanocit 150 mijë dinarë – tregon për portalin tonë bibliotekistja Ivana Tashkoviq, e cila e ka shkruar projektin.

Projekti, thotë ajo, është planifikuar për modernizimin dhe përmirësimin e pajisjeve teknike me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës, tërheqjes së klientëve të rinj dhe krijimit të një mjedisi të favorshëm, veçanërisht për fëmijët e moshës shkollore, për të cilët biblioteka organizon punëtori të shumta.

– Ne rinovuam në tërësi dy departamente për përpunimin e librave në serbisht dhe shqip, blemë katër kompjuterë për studentët që mësojnë në dhomën tonë të leximit dhe dy kondicionerë me inverter për një qëndrim më të këndshëm në bibliotekë – shpjegon Tashkoviq.

Biblioteka në Bujanoc, siç thotë ajo, ka funksionin e qendrës së jetës kulturore të hapur për të gjithë qytetarët, ndërkaq këto pajisje do të përmirësojnë cilësinë e punës dhe do të ofrojnë shërbime për përdoruesit, gjë që do të reflektohet në rritjen e numrit të anëtarëve.

-Dëshiroj të falënderoj drejtorin aktual Ekrem Xhemaili, i cili e ka përkrahur hartimin e projektit, Ministrinë e Kulturës e cila ka miratuar 75 për qind të fondeve dhe kryetarin e komunës, Nagip Arifi. Një falënderim të veçantë i detyrohem shefit të financave, Boban Pavlloviq – thotë Tashkoviq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *