VELIAJ QYTETAR NDERI I BUJANOCIT, PRITET PËLQIMI I MINISTRISË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 12. shkurt 2024. – Shumica shqiptare sot në kuvendin e Bujanocit e shpalli qytetar nderi të Bujanocit prefektin e Tiranës, Erion Veliaj. Në seancë nuk morën pjesë këshilltarët serbë dhe dy përfaqësues të komunitetit rom.
Propozimin e kryetarit të Kuvendit Enver Ramadani, që prefekti i Tiranës të shpallet qytetar nderi i Bujanocit, e votuan 23 këshilltarë, ndërsa shpallja do të kishte dështuar nëse propozimi nuk do ta gëzonte mbështetjen e këshilltarët të opozitës, tre nga Alternativa për Ndryshim dhe një nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Serbët e bojkotuan seancën e sotme pasi, siç pretendojnë, propozimi nuk ka mbërritur në kuvend sipas procedurës ligjore, por edhe për dyshimin se motivi i nderimit të Veliajt është fitimi i pikëve politike para zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Para votimit të vendimit, kryetari i komunës Nagip Arifi, zvendësi i tij Musliu dhe kryetari i Kuvendit, Ramadani, e theksuan kontributin e madh të Veliajt për komunën e Bujanocit dhe popullatën shqiptare, si arsye për t’u shpallur qytetar nderi.
Ata veçuan donacionin e Tiranës prej 550 mijë eurosh për ndërtimin e palestrës sportive në shkollën “Naim Frashëri” në Bujanoc.
Edhe pse i votuar, vendimi i Kuvendit të Komunës së Bujanocit nuk vlen pa pëlqimin e Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.
Arifi theksoi se shpreson që vendimi ta merrë këtë pëlqim.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *