PAJAZITI ISH-PUSHTETARËVE: NGA JU KEMI TRASHËGUAR OBLIGIME PREJ 82 MILIONË DINARË, NDËRKAQ ARKËN ME MË PAK SE DY MILION DINARË NË TË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 8 tetor 2024. – Pas disa orësh diskutime, shumica qeverisëse në Kuvendin e Bujanocit miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2024 me të cilin shuma e paraparë zvogëlohet për 550 milionë dinarë. “Ju po na akuzoni ne se nuk e kemi bërë për 2 muaj qeverisje atë që atë e keni bërë ju për 20 vjet që e keni udhëhequr komunën”, u tha përfaqësuesve të ish pushtetit kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, gjatë diskutimit për rishikimin.
Duke folur për financat e komunës dhe gjendjen e krijuar nga qeverisa e re, Pajaziti tha se në fund të korrikut, kur ai mori postin e kryetarit, në llogarinë e komunës kishte 1.8 milionë dinarë, ndërsa detyrimet ishin 82 milionë.
– Rekomandimi i Ministrisë së Financave ishte që të zvogëlohet me 700 milionë buxheti që keni sjellë ndërsa ne kemi vendosur një ulje prej rreth 500 milionë dhe theksoj po i tërheqim projektet për të cilat nuk janë kryer prokurimet publike dhe që nuk kanë kontrata, e për të cilat paratë nuk kanë ardhur nga burime të tjera, për të cilat ju kemi thënë se nuk duhet të jenë në buxhet, por megjithatë ju i keni futur për t’u mburrur me buxhetin rekord në vitin zgjedhor – tha Pajaziti.
Kritikave të këshilltarëve të opozitës se shumat e subvencioneve për sipërmarrësit, fermerët, klubet sportive e të tjera po ulen, Pajaziti u përgjigj se qeveria e re do të japë më shumë se të gjitha të mëparshmet kur të punojë sipas buxhetit të saj.
– Nëse jeni aq të brengosur për ndërmarrësit dhe fermerët pse nuk ua dhatë subvencionet sa ishit në pushtet, ndërsa dhe nuk e keni bëre sepse ishit të zënë me fushatën, duke asfaltuar ku duhet dhe nuk duhet. Ju keni asfaltuar edhe nëpër prona private, kështu që tani qytetarët po e padisin Komunën – tha Pajaziti.
Opozita (PVD, PD, LPD) fillimisht kërkoi që të tërhiqen nga rendi i ditës rishikimi dhe të gjitha pikat lidhur me këtë, e më pas të kthehen shumat e subvencioneve për kontraktorët, fermerët dhe të gjitha përfitimet e tjera nga arka e komunës sipas vendimit fillestar. Të gjitha propozimet u refuzuan nga shumica qeverisëse.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *