Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 9. dhjetor 2024. Shumica qeverisëse në Kuvendin e Bujanocit votoi të hënën për rishikimin e buxhetit, me çka financat komunale i rritën për 34,5 milionë dinarë në 1,498 miliardë dinarë. Pjesa më e madhe e parave (12 milionë) vijnë nga Trupi Koordinues për Jugun e Serbisë për projekte infrastrukturore, gjegjësisht, siç sqaruan përfaqësuesit e qeverisë, paratë nga TK mund të transferohen në Komunë. Por, kjo nuk është e vetmja arsye, rishikimi ka qenë i nevojshëm edhe për shkak të borxheve të qeverisë së kaluar.
Rshikimi shtoi 5 milionë dinarë për avokatinë komunale, pra për gjobat dhe dënimet që komuna duhet t’i paguajë, si trashëgimi e ish-qeverisjes, çështjet e humbura gjyqësore dhe borxhet e krijuara. Me ribalancimin e mëparshëm, ky pozicion u rrit me 35 milionë dinarë.
-Në buxhetin fillestar për atë destinimi ishin planifikuar rreth 23 milionë ndërkaq do të duhet të paguajmë më shumë se 60 milionë dinarë. Kjo do të na ndjekë edhe vitin e ardhshëm – iu përgjigj kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kritikave të pushtetit të kaluar, që tash janë në opozitë në parlamentin lokal.
Rishikimi përfshin 5 milionë dinarë që do të marrë Këshilli komunal për siguri në trafik nga ministria përkatëse, më pas një milion për blerjen e drunjëve për ngrohje për personat e zhvendosur që do të vijnë nga Komesariati, 2 milionë donacione për palestrën në parkun e qytetit dhe 750.000 dinarë nga Trupi Koordinues për Qendrën kulturore – sportive “Rinia”. Me këto para do të financohet sistemi i mbrojtjes nga zjarri në sallën e sportit në mënyrë që objekti të legalizohet përfundimisht, më shumë se dy dekada pas ndërtimit të tij.
Kryetari i komunës tha se nga Ministria e Përkujdesjes Familjare do të marrë para për një familje që ka kaluar në konkursin për blerjen e një shtëpie në fshat, kështu që ai pozicion tani është në buxhet.
Opozita e kritikoi propozimin dhe siç pritej e votoi kundër.
Nagip Arifi, kryetar i mëparshëm i komunës, e tash këshilltar i opozitës, tha se ky rishikim tregon se qeveria e tij e ka planifikuar mirë buxhetin fillestar ndërsa ka pyetur se ku do të sigurojë qeveria aktuale paratë për të rritur “të hyra vetanake”.
– E shohim që po planifikoni rritje të pozicionit të taksave, por nuk keni rritur taksat dhe tarifat. Po i rrisni mjetet për Bibliotekën për 2 milionë për shkak të punësimeve të reja – tha Arifi.
Enver Ramadani nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) deklaroi se do të ishte më mirë të liheshin subvencione për bujqësinë dhe sipërmarrësit në buxhet sesa të rriteshin mjetet për pagat e punëtorëve të rinj.
– A prisni para nga shteti, nga rezerva buxhetore, çfarë do të bëni nëse nuk i merrni, si do t’i kamufloni të gjitha këto – tha Ramadani.
Në përgjigjen e tij ndaj paraardhësit të tij, Paiaziti tha se “po ta kishit planifikuar mirë buxhetin nuk do të ishte 2 miliardë”.
– Kemi dërguar dy kërkesa për para nga rezerva buxhetore, fillimisht 50 milionë dhe më pas 100 milionë kur pamë shumën e borxheve. Nuk e di sa do të marrim – tha ai në përgjigje të Ramadanit.
Derisa po e raportojmë këtë, kuvendi vazhdon punën sipas rendit të ditës.
RISHIKIMI I BUXHETIT: MBI 60 MILIONË DINARË PËR BORXHET E QEVERISJES SË KALUAR
Bujanovačke10. Dec 2024.FILLIMI, POLITIKË0
Previous PostPAMJE E RE E SHESHIT, POR JO PËR SHKAK TË BREDHIT TË MADH
Next PostTRADHËTAR I SHQIPTARËVE DHE KUISLING: MUSTAFI ME AKUZA TË RËNDA NDAJ PAJAZITIT