Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 7 qershor 2021. (Foto e Bujanovaçke) – Deputeti nga Bujanoci Shaip Kamberi tha sot në Parlamentin Serb se ai është kundër ndryshimi të pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë dhe se akti më i lartë juridik i vendit duhet të ndryshohet në tërësinë e tij, ndërsa si praktikë të mirë kushtetuese ai e veçoi Kushtetutëne Kosovës. Kryeministrja Ana Bërnabiq i tha Kamberit se nuk është në rregull që në Parlamentin e Serbisë të bazohemi “në Kushtetutën e Kosovës së vetëshpallur”, duke qenë se ai është deputet i parlamentit të një vendi që “Kosovën dhe Metohinë” e konsideron territorin të vetin dhe se nga ky pozicion duhet ta respektojë atë, raporton Tanjug.
– Ka argumente të shumta për ndryshimin e të gjithë Kushtetutës, dhe njëri prej tyre është se në nenin 1, Serbia përcaktohet si një shtet i popullit serb, definicion ky që është problematik nga aspekti i pakicave – thotë Kamberi.
Ai theksoi se pakicat përbëjnë më shumë se 20% të popullsisë në Serbi dhe një përkufizim i tillë, sipas tij, përhap besimin se pjesëtarët e komuniteteve me origjinë të ndryshme janë “qytetarë të rendit të dytë”.
Në këtë kuptim, si shembuj të mirë ai përmendi Malin e Zi – në Kushtetutëne të cilit thuhet se bartësi i sovranitetit është qytetari që ka shtetësi malazeze- por edhe Kosovën, ku në nenin 1 thuhet se “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve e saj “.
Ai gjithashtu, si problematike, e përmendi preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton “Kosovën dhe Metohinë” si pjesë të Serbisë, , sepse, siç thotë ai, ajo përfaqëson një pengesë për përparimin më të shpejtë në rrugën drejt integrimit në BE.
Sipas tij, iniciativa për të ndryshuar pjesë të Kushtetutës, me të cilën legjislacioni i brendshëm harmonizohet me legjislacionin e BE-së, nuk është e mjaftueshme, sepse ajo përfshinë vetëm çështjet nga Kapitujt 23 dhe 24.
– Serbia ka nevojë për decentralizim dhe rajonalizim në mënyrë që të bëhet një vend për të jetuar më mirë, ndërsa në kërkesa të tilla qeveria e sheh frikën e shkëputjes pa asnjë argument – tha Kamberi.
Bërnabiq iu përgjigj Kamberit se “nuk është në rregull” që t’i referohej kushtetutës së Kosovës në cilësinë e deputetit popullor, ngase, siç theksoi ajo, është deputet i Kuvendit në vendin territori i të cilit është.
“Ajo është krahinë e jona dhe ju duhet ta respektoni këtë. Për këtë Shtëpi nuk ka kushtetutë të Kosovës, dhe ata fituan pavarësinë pa pyetur askënd, madje asnjë qytetar të saj, “tha Bërnabiq.
Sipas saj, “Kushtetuta e të ashtuquajturës Kosovë është aq e rëndësishme për të sikur ajo vetë ta kishte shpallur shtet të pavarur lagjen beogradase Karaburma dhe t’ia kishte shkruar kushtetutën.”