Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 26 gusht 2021 – Komunat e Bujanocit dhe Kamenica së bashku po ndërtojnë një urë mes Breznicës, fshat në Komunën e Bujanocit dhe Karaçevës, fshat i Kosovës. Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se në këtë mënyrë “po lidhen Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë”.
Vlera e përgjithshme e projektit, sipas Sali Salihit, shef i kabinetit të kryetarit, është 52.000 euro, me ç’rast Bujanoci merr pjesë me 1.6 milionë dinarë, ose rreth 13.500 euro.
Punimet filluan të martën ndërsa gur themeli u vendos nga Arifi dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.
– Me ndërtimin e kësaj ure ne lidhim jo vetëm dy fshatra, por lidhim edhe komunën e Bujanocit me komunën e Kamenicës, si dhe Republikën e Kosovës me Republikën e Serbisë – tha Arifi me rastin e fillimit të punimeve, u kumtua nga Komuna.
Ai kujtoi se një vit më parë, në këtë zonë është asfaltuar rruga nga fshati Muhoc për në Zarbinac, në gjatësi prej 5.600 metrash.
– Nuk do ta harrojmë këtë zonë, por së bashku me kryetarin Kastrati do të realizojmë projekte të tjera, të cilat do të mundësojnë një jetë dhe perspektivë më të mirë për banorët e këtushëm, që janë edhe kujdestarët e kësaj zone tepër të bukur – tha Arifi.
Ndërtimi i përbashkët i urës u dakordua në takimin e udhëheqësve të dy komunave të mbajtur më 22 prill të këtij viti në Kamenicë.