Shkruan: D. Stoshiq
Në komunitetet e vogla, ku të gjithë i njohin të gjithë, ndodh që informacione që nuk duhet të arrijnë te publiku rrjedhin nga institucioneve, kështu që për shkak të kësaj viktimat shpesh heqin dorë nga raportimi i dhunës. Shpesh vetë dhunuesi mëson se është denoncuar, ndaj pasojat për viktimën mund të jenë fatale. Ajo që është e tmerrshme në komunitetet e vogla është se të gjithë dinë gjithçka për këdo, e megjithatë individët zgjedhin t’i mbyllin sytë ndaj dhunës, thotë Milica Stoshiq nga Bujanoci, aktiviste dhe përfaqësuese ligjore e organizatës “Iskra” të Novi Sadit.
Bujanoc, 12 tetor 2022 (foto istock) – Në nëntë muajt e parë të këtij viti, Qendra për Punë Sociale në Bujanoc ka regjistruar 25, ndërsa sipas të dhënave të këtij enti vitin e kaluar janë raportuar gjithsej 37 raste të dhunës në familje. Lajmi i mirë është se viktimat e dhunës në Bujanoc së shpejti do të ndihmohen nga organizata Iskra nga Novi Sadi, e përfaqësuar nga banorja e Bujanocit Milica Stoshiq.
– Unë pashë një mundësi që aktivitetet e organizatës të zgjerohen edhe në Bujanoc, veçanërisht për shkak të qëndrimit patriarkal të mjedisit dhe qëndrimit ndaj grave. Sepse tek ne ende dominon mendimi se është turp të denoncosh burrin nëse ai kryen dhunë, është turp të divorcohesh dhe të kthehesh te prindërit, e të mos flasim për ekzistimin e frikës te viktima e dhunës nga gjykimi i mjedisit nëse e denoncon dhunën – thotë Milica, me origjinë nga Bujanoci, aktualisht apsolvente në Fakultetin Juridik në Novi Sad.
Në Shoqatën e Qytetarëve “Iskra”, e cila është themeluar me qëllim të ndihmës dhe mbështetjes emocionale për personat që kanë përjetuar dhunë, ajo njohu, siç thotë ajo, mundësinë për të ndihmuar viktimat e dhunës, por edhe për të kontribuar në sensibilizimin e këtij problemi social në mjedise të vogla dhe të mbyllura si Bujanoci, përmes aktivizmit të saj, ku së shpejti planifikojnë një sërë tribunash.
Në Bujanoc, si një mjedis multietnik ku përplasen tri kultura të ndryshme, ku secila, siç thotë Milica, ka zakonet e veta, është e nevojshme që viktimat e dhunës të informohen për të drejtat e tyre, të mbrohen dhe t’u jepet mbështetje.
Sipas të dhënave në faqen e Ministrisë së Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, në polici janë raportuar vetëm 9 për qind e grave që pësojnë dhunë nga partneri aktual dhe 25 për qind e grave që pësojnë dhunën nga ish-partneri.
Arsyet pse gratë nuk denoncojnë dhunën, siç thotë Milica, variojnë nga frika për fëmijët, mosbesimi ndaj institucioneve shtetërore, varësia financiare nga partnerët, por edhe kuadri social në të cilin jetojmë.
– Në jug të Serbisë, përfshirë edhe Bujanocin, për shkak të marrëdhënieve patriarkale dhe vartëse të grave, sidomos kur bëhet fjalë për dhunën në familje, ekziston një qëndrim se është më mirë të heshtet dhe të durohet dhuna sesa të raportohet. “Fajin e ka vetë ajo, nuk duhej të sillej kështu, e lejoi” – janë vetëm disa nga frazat që mund të dëgjohen. Nga frika e gjykimeve të ndryshme nga ambienti, gratë preferojnë ta mbajnë vuajtjen brenda katër mureve – thotë Milica.
Duke folur për frikën e viktimës nga denoncimi i dhunuesit, ajo theksoi edhe problemin e “rrjedhjes” së informacionit nga institucionet kompetente, gjë që ndodh në praktikë.
-Në komunitetet e vogla, ku të gjithë i njohin të gjithë, ndodh që gjërat konfidenciale të dalin në publik, kështu që viktimat shpesh heqin dorë nga raportimi i dhunës për shkak të kësaj. Shpesh vetë dhunuesi mëson se është denoncuar, ndaj pasojat për viktimën mund të jenë fatale. Ajo që është e tmerrshme në këtë kuadër është se të gjithë dinë gjithçka për të gjithë, e megjithatë individët zgjedhin t’i mbyllin sytë ndaj dhunës – shton ajo.
Pas rastit më të rëndë të dhunës fizike apo seksuale të kryer nga partneri i tyre, gratë deklaruan se dëshironin të kishin dikë me të cilin mund të bisedonin, i cili t’u jepte mbështetje dhe ndihmë, thuhet më tej në njoftimin e ministrisë.
Në shoqatën e qytetarëve “Iskra”, e cila është themeluar me qëllim të ndihmës dhe mbështetjes emocionale për personat që kanë përjetuar dhunë, kjo bujanocase ka njohur mundësinë e ndihmës ndaj viktimave të dhunës, duke iu drejtuar një numri më të madh të të rinjëve nga Bujanoci dhe duke punuar së bashku për të parandaluar dhunën dhe për të hequr “paragjykimet” dhe stereotipin e një mjedisi të mbyllur”.
-Fatkeqësisht, e di sa pak flitet për këtë temë në Bujanoc, dhe është e rëndësishme që viktimat ta dinë se kanë mbështetje, se nuk duhet të heshtin dhe se kanë kujt t’i drejtohen pavarësisht se ku janë dhe cilit komunitet etnik i përkasin. Ndihma psikologjike që ne ofrojmë përfshin bisedën dhe udhëheqjen e viktimës drejt hapave të mëtejshëm që duhet të ndërmarrë. Ne ofrojmë udhëzime se si viktima mund të dalë nga dhuna, këshilla ligjore se si të mbrohet. Ndihma psikologjike falas ofrohet nga psikoterapistët, kurse terapitë mund të mbahen online përmes platformave të ndryshme sociale – shpjegon Milica.
Si dikush që vjen nga një prejardhje konservatore dhe duke e ditur se për dhunën flitet rrallë, ajo thekson rëndësinë e zbatimit të përmbajtjeve të ndryshme edukative për parandalimin e dhunës në të cilat do të përfshiheshin të gjithë anëtarët e komunitetit, veçanërisht të rinjtë.
– Parandalimi duhet nisur në klasë, duke folur me të rinjtë. Aktualisht jemi duke zbatuar një projekt në të cilin kemi leksione në shkollat fillore për pasojat ligjore të dhunës së bashkëmoshatarëve, është e rëndësishme që të rinjtë të dinë të njohin dhunën dhe si të reagojnë në situata nëse gjenden viktima të dhunës. Propozimi është që në të ardhmen këto ligjërata të mbahen në shkollat e Bujanocit dhe plani është zgjerimi i rrjetit të bashkëpunëtorëve në mënyrë që të mblidhen sa më shumë vullnetarë – thotë ajo.
Përveç mbështetjes emocionale, siç thotë ajo, shoqata është e angazhuar edhe në ofrimin e këshillave juridike, informimin dhe edukimin e qytetarëve në fushën e psikologjisë dhe shëndetit mendor.
Aktivitetet e Shoqatës nuk janë të orientuara drejt grupeve të veçanta të viktimave apo llojeve të veçanta të dhunës. Ajo u bëri thirrje të gjithë njerëzve që të raportojnë dhunën dhe t’i inkurajojnë viktimat të flasin për të.
– Çdokush mund të jetë viktimë dhe të gjithë duhet të gëzojnë ndihmën dhe mbrojtjen. Nëse ka gra, burra ose fëmijë që janë viktima të dhunës ose duan të ndajnë disa nga përvojat e tyre, ata gjithmonë mund të na kontaktojnë me mesazh. Dhuna nuk ka arsyetim dhe duhet denoncuar – përfundon Milica.
Të dhënat zyrtare të publikuara në faqen e Ministrisë së Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale flasin për prevalencën e dhunës në familje në vendin tonë, shkallën e raportimit dhe karakteristikat e saj, si dhe tregojnë nevojën që të gjithë aktorët socialë të përfshihen në uljen e tolerancës ndaj dhunës, si dhe parandalimin e saj.
Sipas gjetjeve të OSBE-së, 62 për qind e grave kanë përjetuar një formë të dhunës me bazë gjinore pas moshës 15 vjeçare, 42 për qind kanë përjetuar ngacmime seksuale, 22 për qind kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale brenda ose jashtë marrëdhënies së partnerit dhe 11 përqind e grave kishin përvojën e persekutimit.
Në Serbi çdo e pesta grua përjeton dhunë nga partneri dhe që nga fillimi i vitit kanë vdekur 23 viktima të dhunës në familje.Të gjitha viktimat e dhunës mund të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga organizata e Novi Sadit “Iskra” përmes faqes zyrtare në Facebook dhe faqen në Instagram.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i sigurisë së grave në Serbi”, i cili zbatohet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në Serbi (UN Women), me mbështetjen e Ambasadës Norvegjeze në Beograd. Pikëpamjet në këtë tekst (ose përmbajtje tjetër) u përkasin ekskluzivisht autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UN Women dhe të Ambasadës Norvegjeze.