Bujanoc, 14 tetor 2022. Ardita Sinani, këshilltare politike për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thotë se shteti i Serbisë me politikën e tij në Medvegjë po e rrezikon mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsisë.
“Në mesin e procesit kemi vetëm 3 regjistrues shqiptarë për komunën e Medvegjës ndërkohë që komisioni i regjistrimit i ka caktuar ata në vendbanimet me shumicë serbe”, tha Sinani gjatë vizitës së djeshme në Medvegjë.
Procesi i regjistrimit në këtë komunë është i kontestueshëm edhe për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), i cili po kërkon monitorim ndërkombëtar.
Sinani u bëri thirrje organeve kompetente të Republikës së Serbisë që të reagojnë urgjentisht dhe të zgjidhin këtë situatë.
“Për shkak të këtyre parregullsive dhe pengesave kam kontaktuar me OSBE-në, me ambasadat e vendeve perëndimore në Beograd, si dhe me qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Sinani.
Ajo vlerësoi se regjistrimi i popullsisë dhe pronave është një proces i rëndësishëm për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, veçanërisht në Medvegjë, e cila, sipas saj, prej vitesh është prekur nga shpërngulja dhe pasivizimi.