ÇMIMI I MISHIT MBETET TË I NJËJTË, QYTETARËT EDHE MË TUTJE ANKOHEN SE ÇMIMI ËSHTË I LARTË

Bujanoc, 13 shkurt 2023. Çmimet e mishit të derrit dhe mishit të pulës në Bujanoc mbetën në të njëjtin nivel edhe pas heqjes së kufizimeve nga Qeveria e Serbisë. Shitësit nuk mund të thonë nëse dhe kur do të ketë rritje të çmimeve, ndërsa qytetarët besojnë se çmimet aktuale janë shumë të larta.
Mishi i derrit pa koska, edhe pas heqjes së kufizimeve javën e kaluar, në mishtoret lokale është ende 700 dinarë për kilogram, ndërsa 680 dinarë në një nga supermarketet e një rrjeti të madh të shitjes me pakicë. Nuk ka ndryshim as në çmimin e një zogu pule.
– Na duhet vetëm një rritje shtesë e çmimit, sikur gjithçka nuk është tashmë shumë e shtrenjtë. Edhe me këto çmime populli mezi po ia del mbanë, do të fillojmë të blejmë sasi mishi nga 100 e 200 gramë – ka thënë për portalin tonë një pensionist nga Bujanoci.
Komente të ngjashme kemi dëgjuar edhe nga banorë të tjerë të Bujanocit.
Qeveria ka hequr kufirin e çmimit për disa lloje të mishit të derrit dhe mishit të pulës që ishte në fuqi muajt e kaluar. Edhe pse shumë kanë frikë se tani mund të ketë rritje të çmimeve, shitësit thonë se për momentin nuk ka ndonjë paralajmërim të tillë.
– Ndërprerja e kësaj rregulloreje mund të kontribuojë ndoshta edhe në përmirësimin e tregtisë dhe konsumit të mishit të derrit. Në këtë zinxhir, prodhuesit e derrave, fermerët, industria përpunuese e thertoreve dhe tregtarët nuk do të përfitonin nëse do të kishte rritje të çmimeve sepse në atë rast konsumi do të zvogëlohej – tha për RTS Nenad Budimoviq nga Oda Ekonomike e Serbisë.
Ndërsa Ministria e Tregtisë përsëriti se nuk do të lejojnë rritje të çmimeve dhe se do të monitorojnë situatën në treg. Çmimet e vajit, sheqerit dhe miellit mbetën nën kontrollin e Qeverisë dhe jo të tregut, të paktën deri në fund të shkurtit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *