RAGMI MUSTAFI PËR BUJANOVAÇKE MBI NDALIMIN E SHFAQJES SË FILMAVE SHQIPTAR: POSTPRODUKSION NË REGJI TË POLICISË

Shkruan: Ragmi Mustafi
Bujanoc, 11. qershor 2023. Ndalimi i djeshëm nga Prokuroria publike dhe Policia e Serbisë në Bujanoc i shfaqjes së dy filmave, “Heshtja vret” dhe “I pabesi”, prodhim nga aktori Gani Veseli, nën produksionin e pavarur “Coloseum, shkaktoi shqetësim të gjerë për censurimin dhe shtypjen e shprehjes artistike. Ngase ndalimi do të qëndrojë në fuqi deri në përfundimin e hetimit i cili është duke vazhduar.
Policia ndaloi aktorin-producent Gani Veseli dhe drejtorin e <<shtëpisë së kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, vetëm 20 orë para premierës së tyre të shumëpritur dhe gjashtë orë pas vizitës së Ministrit të punëve të brendshme, Bratisllav Gashiq, i cili vizitoi objektin e Stacionit Policor në Bujanoc, të rinovuar rishtazi në tërësi. E me atë rast ka theksuar se “me rindërtimin e Stacionit policor të Bujanocit policëve u janë ofruar kushtet më të mira të punës dhe kështu do të përmirësohet shpejtësia dhe cilësia e shërbimeve që u ofrojnë qytetarëve”.
Kurse aktori u ndalua për veprën penale: Nxitja e intolerancës kombëtare, fetare dhe racore nga neni 317 në lidhje me nenin 30 paragrafi 1 i Kodit Penal ku thuhet:
“Kushdo që me dashje fillon ekzekutimin e një vepre penale, por nuk e përfundon atë, do të dënohet për tentativën e veprës penale për të cilën, sipas ligjit, mund të shqiptohet dënim me burg prej pesë vjetësh ose dënim më i rëndë, dhe për tentativa për veprën e dytë penale vetëm kur ligji e parasheh shprehimisht dënimin edhe për tentativë” dhe veprën penale nga neni 28 paragrafi 1 i Ligjit për Kinematografinë ku thuhet: “Ndalohet vënia në qarkullim dhe shfaqja publike e veprës kinematografike që mbron ose nxit diskriminim, urrejtje ose dhunë ndaj një personi ose grupi personash për shkak të përkatësisë ose jopërkatësisë të një race, feje, kombi, grupi etnik, gjinie të caktuar, për shkak të orientimit të tyre seksual ose ndonjë karakteristike tjetër personale”.
Megjithatë, asnjë nga këto nuk është e vërtetë në rastin e dy filmave. Sepse Prokuroria publike dhe Policia i kanë shikuar këta filma përmes “denoncimeve nga persona të panjohur”. Prandaj përfshirja e autoriteteve ligjzbatuese, pra e Policisë si post-produksion, është një rast i paprecedentë. Përveç regjisorit, produksionit dhe montazhuesit, askush nuk i ka parë ata dy filma të shkurtër. Është një formë e cenimit të drejtpërdrejtë të lirisë së fjalës, krijimtarisë artistike dhe të drejtës së artistëve për t’u shprehur lirisht. Për më tepër, frikësimi dhe shtypja e veprave të artit nga policia është produkt i sistemit aktual në Serbi, i cili ka shkaktuar erozionin e lirisë artistike edhe në Luginën e Preshevës.
Në këtë rast, a mund të lidhet ndalimi i premierës së filmave me kontekstin apo tensionet politike? Veprat e artit mund të ngarkohen politikisht dhe autoritetet mund të reagojnë ndaj tyre në mënyra të motivuara politikisht. Duke pasur parasysh se ky projekt prej pesë episodesh, i mbështetur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar me financim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, synon të prezantojë tregime autentike popullore shqiptare në Luginën e Preshevës, duke promovuar trashëgiminë kulturore jomateriale dhe diversitetin e këtij regjioni.
Ose, në një kontekst siç është Lugina e Preshevës, ku ka diversitet etnik dhe kulturor, ndalimi i premierës së filmave që kanë të bëjnë me të drejtat dhe diskriminimin e komunitetit shqiptar, duke pasur parasysh se biblioteka komunale e Bujanocit gjatë viteve të nëntëdhjeta deri në vitin 2003 ndaloi edhe librin “Kalaja”, të shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, sipas të njëjtave parime.
Sigurisht, arti, duke përfshirë filmin, shpesh shërben si mjet për të shprehur ide, këndvështrime dhe realitete të ndryshme. Kur premiera e një vepre arti, siç janë filmat, kufizohet ose ndalohet, ekziston rreziku i ngulfatjes së krijimtarisë, lirisë së shprehjes dhe diversitetit të mendimeve. Sepse arti ka fuqinë të provokojë diskutime, të rishqyrtojë normat ekzistuese dhe të tregojë këndvështrime të ndryshme.
Ndalimi i premierës së një filmi mund të parandalojë që publiku të përjetojë dhe vlerësojë një vepër arti nga burimi i parë, duke reduktuar mundësinë e mundshme për dialog dhe shkëmbim idesh. Përveç kësaj, censura e artit mund të ketë pasoja afatgjata për lirinë e shprehjes dhe krijimtarinë artistike. Kreativiteti dhe arti duhet të jenë të lira nga kufizimet e imponuara për të inkurajuar inovacionin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Pikërisht për këtë është e rëndësishme të mbrohet liria e shprehjes dhe liria artistike, në mënyrë që artistët të kenë mundësinë të eksplorojnë ide të reja, të përballen me polemika dhe të sfidojnë publikun për të menduar.
A janë këto kufijtë e autoritetit shtetëror në rregullimin e artit dhe shprehjes kulturore? A mos janë vënë në dyshim parimet e lirisë etnike dhe autonomisë kreative? Apo kjo po ndodh në kontekstin e situatës politike dhe sociale në rajon, dinamikës së ndërlikuar mes Serbisë dhe Kosovës? Ndalimi i këtyre filmave, pra, nuk prek vetëm komunitetin artistik, por ka edhe implikime më të gjera në peizazhin politik dhe marrëdhëniet ndëretnike në këtë fushë.
Poster
Ditët në vijim do të përcaktojnë rezultatin e hetimit dhe do të hedhin dritë nëse ndalimi i këtyre filmave konsiderohet i nevojshëm për hetimin apo si shkelje e pajustifikuar e shprehjes artistike dhe lirisë së fjalës. Ose, në fund të fundit, në Serbi mbizotëron praktika e të ashtuquajturës damnatio memoriae, e shtuquajtura “kultura e përjashtimit” në të cilën komuniteti shqiptar dëbohet ose largohet nga institucionet publike ose shoqërore, kulturore, publike ose ndërmarrjet publike, për shkak të qëndrimeve ose veprimeve të caktuara. Sepse policia në Bujanoc është e pajisur me “shpejtësi dhe cilësi të shërbimeve”, e tani edhe me post -produksion.
Dhe së fundi, ish-ministri dhe kreu aktual i BIA-s, Aleksandar Vulin, u akuzua në vitin 2019. për gjuhën e urrejtjes, duke shkaktuar intolerancë kombëtare, fetare dhe racore duke përdorur publikisht termin “šiptar” për shqiptarët edhe pse Komisioneri për barazi qysh në vitin 2015 konstatoi se me përdorimin e termit “šiptar” fyen dinjitetin e pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për ndalimin e diskriminimit. Mirëpo Gjykata e lartë në Beograd nuk guxoi ta dënojë atë. Film!?
(Autori është ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve)




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *