Transparente para Policisë së Bujanocit: KKSH kërkon punësimin e shqiptarëve

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 9. shtator 2023. Para Stacionit policor në Bujanoc, sot në mëngjes përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) vendosën dy pankarta në gjuhën serbe dhe shqipe me mesazhin: Respektoni Kushtetutën! Nga KKSH-ë kërkojnë punësimin e shqiptarëve në polici në raport me strukturën etnike të popullsisë së komunës së Bujanocit.
Sipas presidentit të KKSH-së, Nevzad Lutfiu, është një veprim simbolik me të cilin është dërguar një kërkesë në Ministrinë e punëve të brendshme.
– Në nenin 77 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë thuhet: “Gjatë punësimit në organet shtetërore, ndërmarrjet publike, organet krahinore dhe organet e vetëqeverisjes lokale duhet të merret parasysh përbërja kombëtare dhe përfaqësimi proporcional i pakicave kombëtare – thotë Lutfiu.
Ai thotë se numri i policëve shqiptarë është shumë i vogël dhe se shumë prej tyre që tashmë janë në punë janë afër pensionit.
– I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i kushtojë vëmendje pozitës së shqiptarëve në Serbi, sepse diskriminimi ka arritur në kufijtë e racizmit – thotë Lutfiu.
Në pankartat që ishin varur para stacionit ishte shkruar neni 77 i Kushtetutës së Serbisë. Ato u vendosën herët në mëngjes dhe u hoqën shpejt.
Një aksion i ngjashëm është organizuar së fundi edhe para Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc.
Kjo nuk është hera e parë që Lutfiu merret me policinë e Bujanocit.
Paraprakisht ai ka kërkuar që emri i institucionit të shkruhet edhe në gjuhën shqipe si dhe respektimin e dygjuhësisë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *