PËR PUSHIME NË SERBI, QEVERIA NDANË 10.000 DINARË PËR VAUÇERË

Bujanoc, 28. dhjetor 2023. Vlera e kuponit turistik -vauçerit falas për pushime në Serbi do të jetë 10 mijë dinarë në vend të 5 mijë, ka njoftuar presidenti Aleksandar Vuçiq. Ai tha se do të shpërndahen 100.000 vauçerë ndërsa për këtë Qeveria e Serbisë vendimin e ka marrë sot.
“Ky është një lajm i madh për pensionistët tanë dhe të papunët, si dhe për njerëzit me të ardhura disi më modeste. Tani nuk do të shkojmë më me 100 mijë vauçerë nga 5 mijë dinarë, por do ta rrisim vlerën e vauçerëve në 10 mijë dinarë. Kështu që të gjithë do të mund t’i marrin vauçerët falas prej 10.000 dinarësh”, tha Vuçiq për Pink.
Ai theksoi se qytetarët do të mund ta përdorin atë në disa nga Qendrat rehabilituese termale dhe qendrat e tjera turistike.
Aplikimi i qytetarëve për përdorimin e kuponëve në Serbi do të fillojë më 15 janar 2024, në sportelet e Postës së Serbisë në të gjithë vendin.
Të drejtën për kupon e kanë pensionistët, të papunët, përfituesit e së drejtës për ndihmë dhe kujdesin e një personi tjetër, invalidët ushtarakë, pronarët e ekonomive bujqësore, studentët, personat mbi 65 vjeç që nuk ushtrojnë të drejtën e pensionit si dhe të punësuarit me të ardhura deri në kufirin e rritur – në maksimum 80.000 dinarë në muaj.
Regjistrimi i vizitorëve që janë të interesuar të marrin pjesë në sistemin e ndarjes së vauçerëve do të mundësohet përmes sistemit E-turist nga data 31 dhjetor i këtij viti, ndërsa lista e parë e vizitorëve do të publikohet në faqen e Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë më 8 janar 2024.
Afati i fundit për përdorimin e kuponit është 20 nëntor 2024.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *