PAS KALLËZIMIT NË POLICI NGA TASIQI, BUJANOVAÇKE MBËSHTETET NGA LEXUESIT

Bujanoc, 19. janar 2024. – Lexues të shumtë të portalit dhe të faqes sonë në FB dje dhe sot shprehën mbështetjen e tyre për Bujanovaçken dhe kolegen Ivana Jovanoviq, pas kallëzimit të paraqitur kundër saj në polici, nga Nenad Tasiq, drejtor i shkollës fillore “B. Radiçeviq”. Kjo është dëshmi se në raportimet e tyre Bujanovaçke, priret vetëm dhe ekskluzivisht nga interesi publik, prandaj dëshirojmë t’i falënderojmë lexuesit tanë. Gjithashtu theksojmë se informacioni për kallëzimin e ushtruar kundër këtij mediumi është transmetuar nga media të shumta në Serbi, ndërsa me një njoftim ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS).
Bujanovaçke i faleminderon lexuesit
Siç njoftuam dje, Tasiq ka denoncuar gazetaren tonë në polici për gjoja hyrjen e palejuar në objektin e shkollës ashtu që publiku të njoftohet për gjendjen në këtë institucion pas rindërtimit. Nga aty, ajo ka raportuar se në një nga tualetet e shkollës kishte rënë tavani.
Oliver Milenkoviq nga organizata serbe Sabornost ka shkruar në faqen e Bujanovaçkes në Facebook:
“Mbështetje për portalin Bujanovaçke, ju jeni duke bërë një punë të shkëlqyer dhe profesionale dhe vazhdoni. Sepse po të mos ishit ju, do të ishim në errësirë në shekullin e 21-të… MBËSHTETJE…”
Me tone të ngjajshme ka reaguar edhe lexuesi Dragan Angjellkoviq Zhaba:
“Mbështetje e madhe për portalin Bujanovaçke! E mirëpres punën profesionale të Policisë ndaj gazetarit. Nuk e imagjinoj dot kush do ta vërë firmen per pranimin teknik te shkolles??? Nëse drejtori dhe të tjerët, me sa kuptoj unë, kanë bërë një listë me mangësi, do të ketë lloj-lloj gjërash. Ata si edukatorë e vunë re, çfarë do të shihte një inxhinier? Si qytetar i Bujanocit i jap përkrahje të madhe gazetares dhe njëkohësisht solidarizohem me të për shkak të shqetësimit”.
Goran Tashkoviq pyet veten se çfarë do të ndodhte nëse tavani do t’i kishte rëndë një fëmije:
“Ju lutemi mos i shkaktoni dhimbje mendore drejtorit të shkollës ndërsa fakti që tavani mund t’i kishte rënë në kokë një fëmije do të ishte dëm kolateral”.
Profesor Zulfo Sejdini iu referua dimensionit tekniko-ligjor të problemit të rindërtimit:

“Të nderuar zotërinj, çdo objekt në ndërtim ka autoritet mbikëqyrës. Nëse autoriteti mbikëqyrës i ka firmosur kontraktorit që gjithçka është në rregull, ka edhe pranim teknik të objektit, ku hiqen të gjitha gabimet për të vënë në përdorim objektin dhe komisioni e firmos këtë, pra është ende larg pranimit teknik ndërsa ka penalitete për shkeljen e afateve, gjithçka varet nga kush e ka hartuar kontratën dhe për kë”
Lexuesi Dejan Stojanoviq ishte i shkurtër dhe i qartë:
“Urime gazetares dhe portalit, vetëm ju e bëni punën tuaj profesionalisht!”
Ivan Simonoviq u bën thirrje autoriteteve kompetente që të hetojnë punën e rindërtimit:
“Nëse prokuroria do të bënte punën e saj, policia duhet të hetojë pse renovimi i shkollës po zgjatë tri vite dhe sa para janë vjedhur gjatë rinovimit të shkollës dhe që përgjegjësit të përgjigjen për këtë, si dhe për faktin se fëmijëve u është hequr e drejta për arsimim të rregullt prej tre vjetësh. Të gjithë prindërit duhet të ngrenë kallëzime penale për kufizimin e të drejtës së fëmijëve të tyre për arsim. Mirëpo tek ne vëmendja e publikut është kthyer në një drejtim tjetër (si për shembull gazetarët e pafajshëm që po bëjnë punën e tyre) vetëm që përgjegjësit të mos dalin para drejtësisë”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *