Bujanoc, 14 mars 2024. Egzona Salihu, aktorja e larguar nga Shtëpia e kulturës në Preshevë, hapi në Bujanoc shkollën e aktrimit për fëmijët e komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të cilët mësimet i vijojnë në gjuhën shqipe.
Kjo aktore projektin e realizon së bashku me OJQ lokale Byonde nga Bujanoci, anëtare e së cilës është.
“Investimi tek të rinjtë është një shpërblim që sjell frymëzim. Ky projekt ndërthur artin dhe edukimin, dhe u sjell gëzim të madh fëmijëve”, tha Egzona Salihu
Shkolla e aktrimit po funksionon në Bujanoc, Tërnoc dhe disa fshatra të tjera të komunës.
Në mbarëvajtjen e këtij procesi Egzona po ndihmohet nga kolegë aktorë dhe aktore nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ndërsa fondet për shkollën e aktrimit janë siguruar nga Ministria e Kulturës së Kosovës.
Bujanovaçke më herët ka shkruar se Egzona Salihu është larguar nga puna në Preshevë për gjoja se nuk është paraqitur në punë, por ajo kishte thënë për Bujanovaçke se akti i tillë ka qenë i motivuar politikisht.