KOMUNALIA: JANË BËRË KYÇJET NË STACIONIN TRANSFERUES, JANË LARGUAR SASI TË MËDHA MBETURINASH (FOTO)

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 25 shtator 2024. Të martën në deponinë komunale në Bujanoc ka përfunduar instalimi i lidhjeve hidrike dhe elektrike për stacionin e transferimit, por ende nuk dihet se kur do të vihet në punë. Në të njëjtën kohë, NP “Komunalia” ka filluar pastrimin e mbeturinave që janë depozituar jashtë deponisë dhe tani do të jetë shumë më e lehtë për të kontrolluar deponinë – ka thënë për portalin tonë drejtori i kësaj kompanie, Amir Xhaferi.

– Në kuadër të projektit të pajisjeve infrastrukturore të lokacionit të Stacionit transferues, janë bërë lidhjet hidro dhe ato elektrike. Në kuadër të grantit që e kemi me Programin e BE-së PRO +, dje ka filluar pastrimi i mbeturinave që janë depozituar jashtë lokacionit të deponisë, si dhe ndërtimi i rrugës hyrëse me bazë betoni – sqaroi Xhaferi. Ai shtoi se deponia e qytetit tani është prioritet për pushtetin komunal dhe ndërmarrjen komunale.
Mirëpo, gjatë punimeve në deponi, sërish ka shpërthyer zjarri, për të cilin Xhaferi thotë se është një fenomen normal.
-Ka mundësi të ketë shpërthime të zjarrit gjatë punës në deponi, gjë që ndodhi, por tashmë gjithçka është nën kontroll. Punëtorët kanë reaguar menjëherë dhe e kanë shuar zjarrin – thotë drejtori dhe përsërit se punëtorët e Komunalisë janë në shërbim 24/7 në deponi, dhe se janë duke punuar kamerat e vëzhgimit.
kryeshefi i Shtabit të komunës për situata emergjente, Ali Asllani, konfirmoi se është vazhdimisht në detyrë në deponi dhe përkujtoi se në atë zonë është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.
– Ka një pus shtatë metra të thellë, plot me shishe dhe thasë najloni, kështu që aty raportohet për zjarrvënie. Nuk është një zjarr i përmasave të mëdha, por më shumë për një zjarr që digjet, por është kujdesur, thotë Asllani dhe shton se situata po monitorohet vazhdimisht.
Kujtojmë se ministri i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, gjatë vizitës së tij në Bujanoc, në nëntor të vitit të kaluar, tha se është duke u punuar në deponinë sanitare regjionale “Meteris” në Vranjë, në të cilën do të transportohen edhe mbeturinat nga deponia e qytetit në Bujanoc, ndërsa punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2026.
– Ne si Qeveri kemi nënshkruar kontratë me Vranjën për ndërtimin e deponisë rajonale të Meterisit dhe këtë kemi filluar ta bëjmë. Vlera është 22 milionë euro, dhe me ndërtimin e asaj deponi rajonale, të gjitha mbeturinat nga komuna juaj do të shkojnë atje dhe me këtë patjetër do ta zgjidhim problemin që keni – tha në atë kohë Vesiq.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *