ROMËT NË BUJANOC ME MANDAT DREJTORI PAS MË SHUMË SE TRI DEKADAVE

Neziri dhe Salihi

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 26 shtator 2024. Adem Salihi të enjten ka marrë detyrën e drejtorit të Organizatës Turistike në Bujanoc. Kështu, pas më shumë se 30 vitesh, për herë të dytë në histori, komuniteti rom mori pozitën e drejtorit në një ent publik në Bujanoc.
Salihi (1994) është, siç thotë ai, me profesion një ekonomist shumë profesionist. Në pozitën e drejtorit vjen nga pozita e këshilltarit në KK Bujanoc.
Ai është kryetar i Këshillit lokal të Partisë për Drejtësi dhe Pajtim (PDP), i cili mbledh romët e Bujanocit. Lista që ai drejtoi fitoi dy mandate këshilltarësh në zgjedhjet e qershorit dhe është pjesë e shumicës qeverisëse.
Organizata turistike i takoi kësaj partie sipas marrëveshjes paraprake të koalicionit qeverisës.
Salihi do ta pasojë Shuajb Nezirin nga Lëvizja për Progres Demokratik e Shqiprim Musliut, që ishte drejtor i Organizatës turistike.
Para Salihit, i vetmi drejtor i një enti publik në Bujanoc, nga komuniteti rom, ishte Amet Arifi. Siç tha ai për portalin tonë, ai drejtoi me sukses Qendrën për punë sociale në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjeta, për një mandat të plotë katërvjeçar.
Salihi, si dhe të gjithë drejtorët e tjerë të enteve publike, nga Kuvendi i Bujanocit u emërua ushtrues detyre për gjashtë muaj dhe pritet që mandati t’u vazhdohet.
Ne u përpoqëm të merrnim një deklaratë nga drejtori i ri i Organizatës Turistike për lëvizjet dhe prioritetet e para, por ai nuk iu përgjigj thirrjes sonë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *