PËRDORIMI I FLAMURIT SHQIPTAR ÇËSHTJE POLITIKE

Bujanoc, 19 tetor 2024. – Çështja e zgjidhjes së përdorimit zyrtar të flamurit të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë mund të zgjidhet në kuadër të dialogut social për zbatimin e Planit shtatëpikësh në mes të Qeverisë republikane dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja e pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë, ishte përfundimi i bisedës në tribunën “Përdorimi zyrtar i gjuuhësh shkrimit dhe i simboleve të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë”, e cila u organizua në Bujanoc nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
“Paradoksi është mosharmonizimi ndërmjet Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare. Teksa neni 79 i Kushtetutës për të drejtën e ruajtjes së simboleve u garanton pjesëtarëve të pakicave kombëtare të drejtën për të përdorur simbolet e tyre në vende publike, neni 16 par. 2 i Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare ndalon përdorimin e simboleve kombëtare nëse ato janë identike me simbolet e një shteti tjetër”, tha panelisti Driton Bilalli, sekretar i Këshillit kombëtar të shqiptarëve (KKSh).
Duke e konsideruar si flamur kombëtar,e jo flamur shtetëror, si në pjesë të tjera të rajonit dhe Serbisë, shqiptarët e përdorin flamurin si simbol të tyre, i cili është edhe flamuri zyrtar i Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa, sipas Ligjit për pamjen, përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, vendosja e stemës apo flamurit të një shteti të huaj në Serbi dënohet nëse nuk shoqërohet me vendosjen e stemën ose flamurin e Republikës së Serbisë, përveç rasteve kur një traktat ndërkombëtar parashikon ndryshe.
Për këtë shkelje të ligjit nga personat juridikë është paraparë gjobë prej 50.000 deri në 500.000 dinarë.
Sipas Alban Alilit, zyrtar i KKSH-së, edhe pse kjo çështje trajtohet nga shteti si shkelje e ligjit, çështja e përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi është me të vërtetë një problem që kërkon një zgjidhje politike.
Sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës dhe alfabetit shqip, nuk ka problem ligji në fuqi, por më shumë me zbatimin e tij, kanë përfunduar panelistët.
Gjuha shqipe u legalizua si zyrtare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në vitin 2002 me statutet përkatëse komunale, përmes Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, i cili përcakton se në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku tradicionalisht jetojnë pjesëtarët e pakicave kombëtare gjuha dhe shkrimi duhet të jenë në përdorim zyrtar nëse përbëjnë më shumë se 15% të popullsisë së përgjithshme të vendit.
Duke iu referuar hulumtimit të vitit 2021, panelisti Kastriot Jakupi, shef i Shërbimit të përgjithshëm në Administratën komunale të Bujanocit, theksoi se përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në institucionet lokale është në nivel të kënaqshëm.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *