KËSHILLI PËR TË DREJTAT E NJERIUT: INTEGRIMI I SHQIPTARËVE NË INSTITUCIONE PROCESI MË I DËSHTUAR

Bujanoc, 6. nëntor 2024. “Integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në institucionet publike (në nivel jolokal), i cili në thelb është “pjesa më e rëndësishme e procesit të paqes”, mbetet pika më e dështuar në zbatimin e synimeve të vendosura në periudhën pas konfliktit”, tha Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në panelin “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”. Paneli u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, me praninë e përfaqësuesve institucionalë, politikë dhe të shoqërisë civile.
Përfaqësimi/integrimi në institucionet publike nënkupton marrjen e masave urgjente për të siguruar “pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore” në përputhje me “strukturën proporcionale të popullsisë së këtyre komunave”. Kjo kërkesë bazohet në nenin 21 të Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, nenit 77 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe nenit 15 të Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, e cila garanton pakicat për pjesëmarrje në jetën publike dhe barazinë ‘në rastin e punësimit në shërbimet publike’.
Megjithatë, përkundër kësaj kornize kushtetuese dhe ligjore, si dhe përkundër tri marrëveshjeve të veçanta për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, të dhënat dëshmojnë për një nënpërfaqësim të lartë të shqiptarëve në institucione në nivel rajonal dhe kombëtar, ndërsa në komunën e Medvegjës dhe në nivel lokal.
Me këtë rast gjatë diskutimit u ngrit edhe çështja e multietnicitetit në nivel komunal, ku në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë prej vitesh nuk respektohet “parimi i administrimit multietnik”, gjë që pasqyron vështirësitë e ndërtimit të institucioneve multietnike edhe në nivel lokal.
Deputeti i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, theksoi se i gjithë procesi i pasluftës në përgjithësi, si dhe integrimi i shqiptarëve në institucione në veçanti, ka stagnuar që nga viti 2003, gjë që mund të lidhet edhe me vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjinxhiq. “I ashtuquajturi proces i paqes, përkatësisht integrimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit, që ishte ndër synimet e planit dhe programit të qeverisë për zgjidhjen e konfliktit në Luginën e Preshevës, pati rezultate pozitive vetëm në fazën fillestare (2001-2003)”, shtoi ai.
Me rastin e këtij forumi u prezantua hulumtimi “Procesi pas konfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: (Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”, ku është prezentuar gjendja aktuale dhe sfidat dhe mundësitë e procesit të integrimit të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë. Ky hulumtim trajton zhvillimet kryesore, pengesat dhe vështirësitë e procesit pas konfliktit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; që kanë të bëjnë me aktet ndërkombëtare dhe normat kushtetuese-juridike që përkojnë me çështjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare, dokumentet kryesore që janë rezultat i një marrëveshjeje ndërmjet autoriteteve republikane dhe përfaqësuesve të shqiptarëve nga jugu i Serbisë/Lugina e Preshevës, si dhe të dhëna për (mos)zbatimin e tri marrëveshjeve, veçanërisht të “Planit shtatëpikësh” (7PP), i cili është baza e dialogut aktual ndërmjet përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë.
Paneli “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi” organizohet në kuadër të projektit “Jugu i Serbisë – sundimi i ligjit për të gjithë”, i cili zbatohet nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut me mbështetjen e Fondit të vëllezërve Rockefeller.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *