Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 9. nëntor 2024. Pas tre vitesh që kur nisi rindërtimi i plotë, të premten zyrtarisht është hapur shkolla fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc, ndërsa mysafirja më e rëndësishme në këtë ceremoni ishte Anke Konrad, ambasadorja e Gjermanisë në Serbi. Renovimi i shkollës “nga dyshemeja në tavan” është financuar nga Gjermania, përmes bankës zhvillimore KfW, me 4.38 milionë euro, siç tha ambasadorja.
Nxënësit e kësaj shkolle me drejtoreshën Gordana Zllatkoviq, i përgatitën ambasadores një pritje mbresëlënëse, me vargan të gjatë nxënësisht që valëvitnin trengjyrëshin serb dhe flamurin gjerman. Ambasadorja mori edhe lule dhe dhurata të përshtatshme nga nxënës të shkollës të veshur me kostume tradicionale serbe dhe rome.
Ambasadorja pa se çfarë është bërë dhe si duket shkolla pas rindërtimit të plotë, ndërsa vizitoi të gjithë objektin me nikoqirët.
– Në tetor të vitit të kaluar premtova se do të kthehesha kur të hapej shkolla dhe jam e lumtur që sot e realizova premtimin – tha Konrad.
Ajo shtoi se Bujanoci është një nga 11 komunat dhe qytetet ku Gjermania së bashku me Serbinë kanë financuar ndërtimin dhe renovimin e shkollave, kopshteve dhe qendrave shëndetësore.
– Kjo shkollë është rinovuar tërësisht, brenda dhe jashtë, është modernizuar edhe palestra e edukatës fizike. Në të njëjtën kohë, 320 nxënës të pakicës kombëtare rome të kësaj shkolle morën pjesë në punëtori gjithëpërfshirëse në përputhje me kurrikulat ekzistuese, të cilët mundën të shfaqin talentin e tyre në punëtori krijuese – theksoi ambasadorja.
Kujtojmë se këshilltari Stojança Arsiq më herët ka shpjeguar se Gjermania financon rindërtimin e shkollave të Bujanocit – “B. Radiçeviq” dhe shkollën e mesme “Sveti Sava” për shkak të fëmijëve romë.
– Ato shkolla u zgjodhën për shkak të përfshirjes së romëve, gjegjësisht sepse në to vijojnë një numër i madh i fëmijëve nga komuniteti rom – tha Arsiq.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ambasadorja Konrad theksoi se është “shumë e lumtur që Shkolla Fillore “B. Radiçeviq” tani ofron ambient dhe kushte më të mira për nxënësit e saj, prej të cilëve gjithsej 920, si dhe për mësimdhënësit”, duke i uruar shumë suksese në punën dhe arsimimin e mëtutjeshëm.
Ajo ka theksuar se Gjermania është një partner i besueshëm për Serbinë dhe se kjo mund të shihet edhe në Bujanoc.
– Sot është dita më e lumtur për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët e mi, për qytetin tim, për Bujanocin tim – tha drejtoresha Zllatkoviq.
Ajo falënderoi të gjithë ata që kontribuan që kushtet e punës dhe ambienti në shkollën e Bujanocit të mos mbeten prapa shkollave të tjera në Serbi.
– Ne jemi një familje e madhe multietnike me 920 fëmijë. Jemi të lumtur që pas tre vitesh të gjata jemi kthyer në shtëpinë tonë – tha drejtoresha.
Pasi tregoi se çfarë ka të re në shkollë pas rikonstruksionit, ajo përmendi gjithashtu se ka mungesë të mobiljeve për disa klasa, kabinete dhe hapësira të tjera, por se edhe kjo do të zgjidhet së shpejti.
Pastaj foli edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Punës, Zoran Antiq, i cili tha se shkolla është rinovuar përmes Programit Polis që zbatohet bashkërisht nga Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale dhe Zyra për Menaxhimin e Investimeve Publike, me përkrahje të Bankës Gjermane për Zhvillim KfW.
Sipas tij, ky është një kontribut për bashkëpunimin serbo-gjerman përmes mbështetjes për komunitetet multietnike siç është Bujanoci.
Në hapjen zyrtare të shkollës morën pjesë edhe ndihmësministri për investime publike, Vladimir Miçiq, si dhe përfaqësues të Komunës së Bujanocit.
Shkolla “B. Radiçeviq” ka marrë leje përdorimi para fillimit të vitit shkollor aktual, për të cilin ka shkruar Bujanovaçke.
AMBASADORJA E GJERMANISË BËNË HAPJEN ZYRTARE TË SHKOLLËS “B. RADIÇEVIQ”
Bujanovačke9. Nov 2024.SHOQËRI0
Previous PostPAJAZITI: DIPLOMATËT TË GATSHËM PËR TA NDIHMUAR BUJANOCIN
Next PostHAPET KONKURSI PËR ORGANIZATAT DHE KLUBET SPORTIVE: PËR KLUBET E BUJANOCIT 3 MILION DINARË