Bujanoc, 13. nëntor 2024. Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka takuar të martën ambasadorin e OSBE-së në Serbi, Jan Bratu, nga i cili, siç tha, ka marrë mbështetje për “vizionin e ri për Bujanocin dhe nevojën e ndryshimeve thelbësore në funksionimin e administratës lokale”. Të drejtat dhe integrimi i shqiptarëve, si dhe zhvillimi i vetëqeverisjes lokale, ishin temat kryesore të diskutimit.
– Ne ritheksuam edhe një herë nevojën për zgjidhjen e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe vazhdimin e angazhimit të OSBE-së në këtë drejtim. I thashë ambasadorit se organizata që ai përfaqëson është vendimtare në koordinimin me miqtë e tjerë ndërkombëtarë në raport me Qeverinë e Serbisë dhe me qëllim të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në këtë vend – tha Pajaziti.
Siç tha ai, ky do të jetë prioritet i politikës së OSBE-së edhe në vitin e ardhshëm, derisa të përmbushen obligimet e autoriteteve qendrore të marra në vitin 2013.
– E përmenda Raportin e fundit për progresin e Serbisë drejt BE-së, ku flitet për pasivimin e vendbanimit, mosnjohjen e diplomave etj. Kërkova përfshirje më të madhe të misioneve diplomatike të BE-së në Serbi ndaj autoriteteve qendrore, për të përmirësuar situatën. U pajtuam që pa respektuar të drejtat e garantuara të pakicave, nuk ka integrim në familjen evropiane – tha Pajaziti pas takimit me Fischinger në Bujanoc.
Kryetari i komunës e falënderoi përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për mbështetjen e dhënë nga BE-ja për përmirësimin e pozitës së qytetarëve të komunës së Bujanocit, përmes realizimit të projekteve të ndryshme.
Sipas tij, Fischinger premtoi se një ndihmë e tillë do të jetë e disponueshme edhe në të ardhmen, veçanërisht përmes fondeve të BE-së, në kuadër të programit IPA.
“Jemi dakorduar që stabiliteti politik është i domosdoshëm që kjo mbështetje të jetë në vazhdimësi”, tha Pajaziti.
Të kujtojmë se Qeveria e Serbisë e ka pranuar planin 7-pikësh.
Ky dokument parasheh integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, sigurinë e kësaj zone, të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare, decentralizimin e gjyqësorit, përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës dhe informimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Pajaziti të martën është takuar edhe me shefin e seksionit politik të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Çrtomir Peter Fischinger. Në atë takim ai ka theksuar se shteti i Serbisë duhet të punojë në përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare. “E theksova se Serbia ka mbetur prapa në këtë drejtim, sidomos kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj shqiptarëve”, tha Pajaziti pas takimit.
PAJAZITI: MBËSHTETJA E OSBE-së ME VIZION TË RI PËR BUJANOCIN
Bujanovačke13. Nov 2024.FILLIMI, POLITIKË0
Previous PostSHEFI I DEPARTAMENTIT PËR MEDIA I OSBE-së VIZITON REDAKSINË E BUJANOVAÇKES
Next PostKAMBERI NË TIRANË, MUSAFIRË I ZYRTARËVE MË TË LARTË TË SHQIPËRISË