Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 15. prill 2022. Gazetari nga Bujanoci, Jeton Ismaili, ka vlerësuar se përpjekjet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndikuar te liderët politikë të shqiptarëve në jug të Serbisë, në mënyrën se si presidenti i Serbisë e bënë me serbët e Kosovës, duket si një “imitim i zbehtë. “.
Ismaili thotë se do të ishte krejtësisht e natyrshme që Prishtina të ndikojë dhe të arrijë unitetin e partive politike shqiptare, veçanërisht për zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, por nuk e ka bërë, porse ka toleruar dy lista zgjedhore.
“Më vjen shumë keq që kryeministri, si personi me më së shumti vota në Kosovën e pasluftës, toleron gabime të tilla – thotë Ismaili.
Ai shtoi se ftesa e liderëve shqiptarë në takimet në Prishtinë me Kurtin ishte e ngjashme me qasjen e Aleksandër Vuçiqit ndaj Listës Serbe, por se “politikat e serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë dhe qasjet e Beogradit ndaj Prishtinës zyrtare, janë shumë të ndryshme”.
– Beogradi së pari i bashkoi serbët e Kosovës rreth Listës Serbe, prandaj iu kërkon përgjegjësi në çdo kohë. Nga ana tjetër, Prishtina toleron gjithçka që ndodh mes politikanëve në Luginë, andaj është e vështirë të ndikohet në këtë fushë – thotë Ismaili.
Ai vlerësoi se gjysma e përpjekjeve për të arritur unitet u vonuan dhe u reduktuan në fotografime.
– I vetmi që punoi realisht për bashkimin ishte ish-kreu i diplomacisë së Shqipërisë, Gent Cakaj. Në vitin 2020 ai qëndroi tre ditë në Preshevë dhe u largua vetëm kur u bë bashkimi. Pas kësaj, çdo gjë nga Prishtina dhe Tirana ishte vetëm për fotografi dhe asgjë më shumë – përfundon Ismaili.