MORAVA 76: A MUND TË LEGALIZOHET SHTËPIA E NDËRTUAR NË ARA

Shkruan: I. Jovanoviq

Bujanoc, 9 shkurt 2023. (Foto nga arkivi) – Banorët e lagjes “Morava 76” në Bujanoc po pyesin se si t’i legalizojnë shtëpitë e tyre kur edhe pas më shumë se 40 vitesh parcelat që u ka dhënë Komuna në kadastër janë të regjistruar si ara. Kryeshefi i Drejtoratit komunal të urbanizmit, Basri Memeti, thotë se në atë lagje nuk është ndjekur fare plani urbanistik, por pengesa kryesore për legalizim janë marrëdhëniet e pazgjidhura pronësore-juridike.
Pas shkrimit të Bujanovaçkes se kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, u ka bërë apel qytetarëve që të legalizojnë objektet e tyre, sepse në të kundërtën do të kenë probleme me marrjen e letërnjoftimeve dhe dokumenteve tjera, na janë lajmëruar banorët e lagjes “Morava 76”, duke theksuar se nuk mund të legalizojnë shtëpitë e tyre dhe kërkojnë zgjidhje për problemin e tyre.
– Kam një pyetje që përkon me legalizimin e shtëpive që janë ndërtuar pas përmbytjes në 1976. Bëhet fjalë për lagjen “Morava 76” ku ka mbi 100 shtëpi në të cilat jetojnë familje rome. Në kadastër thuhet se këto janë ara të zakonshme, edhe pse kanë kaluar 46 vjet që nga ndërtimi i lagjes. A ka mundësi që këto shtëpi të legalizohen këtë vit, pavarësisht se ka shumë çështje të pazgjidhura për ato parcela që Komuna në atë kohë i ka ndarë për ndërtim? – pyeti një lexuesi i Bujanovaçkes.
Memeti thotë se është i njohur me këtë rast, por thekson se problemi në atë lagje është i natyrës tjetër.
Që nga momenti kur u janë dhënë parcelat për ndërtimin e shtëpive, siç thotë ai, ata i kanë ndërtuar shtëpi në atë lokacion, por nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim tjetër për sa i përket kadastrit dhe bartjes në emër të tyre.
– Unë e kam trajtuar problemin e atsaj lagje më shumë se një herë, kështu që mund të them se ka edhe një gjë tjetër që e ndërlikon këtë çështje. E kjo ka të bëjë me atë se asnjëri prej tyre nuk e ka respektuar planin e ndërtimit dhe se, për shembull, në një truall ku është dashur të ndërtohet një objekti janë ndërtuar nga dy, tre e më tepër objekte – thekson Memeti.
Ndërkohë, siç thotë ai, tani objektet kanë pronarë dhe trashëgimtarët të tjerë, gjë që legalizimin e bën edhe më të vështirë nga ana pronësore – juridike.
Në pyetjen se a ka lagje të tjera në Bujanoc me probleme të ngjashme, Memeti përgjigjet se nuk ka raste të tilla kolektive, por se ka shumë shembuj individualë që kanë probleme me legalizimin pikërisht për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura pronësore-juridike.
– Në pothuajse 80 për qind të rasteve problem janë marrëdhëniet e pazgjidhura pronësore-juridike, që do të thotë se toka nuk është bartur në emër të personit që kërkon të legalizojë objektin – tha Memeti më herët për portalin tonë.
Një nga kushtet kryesore për legalizim është që objekti të jetë në imazh satelitor dhe imazhi i fundit i tillë është bërë në qershor të 2015-ës.
Për legalizimin e objektit kërkohen dokumentet e mëposhtme:
1. Letër pronësie, d.m.th dëshmi nëse parcela në të cilën është ndërtuar shtëpia është e regjistruar në emër të personit që dëshiron ta legalizojë shtëpinë.
2. Raport mbi gjendjen e gjetur të objektit, pjesë përbërëse e të cilit është përpunimi i punimeve gjeodezike për objektin e ndërtuar pa leje.
3. Kopje e planit dhe vërtetim i pagesës së tarifës së legalizimit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *