MINISTRI U URON SHQIPTARËVE DITËN E FORMIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR

Bujanoc, 3.korrik 2024. (Foto nga arkivi) – Ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogun social, Tomislav Zhigmanov, ka uruar shqiptarët 3 korrikun, Ditën e themelimit të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare.
Sipas rezultateve të Regjistrimit të vitit 2022, në Republikën e Serbisë jetojnë 61.687 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare. Nga ky numër i shqiptarëve, në regjistrimin e fundit, 60.253 persona (97,68%) janë deklaruar se janë të fesë islame, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare zgjodhën këshillin e tyre kombëtar për herë të parë në zgjedhjet për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare të mbajtura në vitin 2010. Ashtu si këshillat e tjerë kombëtarë të pakicave kombëtare, edhe Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare ka statusin e personit juridik dhe është organ vetëqeverisës i pakicës. Selia e tij është në Bujanoc, ndërsa mjetet për financimin e punës së Këshillit Nacional sigurohen nga buxheti i Republikës së Serbisë, njësitë e vetëqeverisjes lokale, donacionet dhe të hyrat tjera. Përveç ndarjes së fondeve për punën e këshillave kombëtare të pakicave kombëtare, autoritetet shtetërore të niveleve të ndryshme të qeverisjes në Republikën e Serbisë ndajnë burime financiare për punën e institucioneve të rëndësishme për pakicën kombëtare shqiptare, si dhe për projekte që afirmojnë kulturën dhe edukimin e pakicës kombëtare shqiptare dhe informimin për gjuhën shqipe.
Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare i ushtrojnë të drejtat e tyre në fushën e kulturës nëpërmjet pjesëmarrjes në ngjarje kulturore, nëpërmjet veprimtarive të institucioneve kulturore, shoqatave etj. Ndër manifestimet kulturore vjetore më domethënëse të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë janë: Ditët e Komedisë Shqiptare, Festivali i Recituesve, Revista Folklorike Ndërkombëtare, Festivali i Këngëve për Fëmijë “Gëzimi ynë” dhe “Okteti muzikor”.
Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare arsimohen në gjuhën e tyre në nivelin e arsimit parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë.
Informacioni në gjuhën shqipe sigurohet në Republikën e Serbisë përmes mediave të shkruara dhe elektronike, si dhe përmes një numri të madh të ueb portaleve. Institucioni publik mediatik RTS ka filluar transmetimin e programit informativ “Lajmet” (“Novosti”) në gjuhën shqipe më 1 tetor 2018. Programi televiziv transmetohet çdo ditë nga ora 19:00, me dy transmetime të përsëritura. Programi radiofonik realizohet në formën e transmetimeve pesëminutëshe, pesë ditë në javë (e hënë-e premte), nga ora 22:20. Programi radiofonik në gjuhën shqipe transmetohet edhe në Radiotelevizionin JMU të Vojvodinës, si dhe në Radio Bujanoc, Radio Preshevë dhe Radio Medvegjë. Programet televizive në gjuhën shqipe transmetohen nga TV Bujanoci, TV Presheva, TV Aldi nga Presheva dhe TV Spekt3 nga Bujanoci.
Gjuha dhe alfabeti shqip janë në përdorim zyrtar në të tri njësitë e vetëqeverisjes lokale në jug të Serbisë ku tradicionalisht jetojnë pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare – Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë.
Nëpërmjet politikës së afirmimit të vlerës së multikulturalizmit, autoritetet në Republikën e Serbisë do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të siguruar të gjitha parakushtet për zhvillimin e suksesshëm të institucioneve kombëtare dhe perspektivat e anëtarëve të bashkësisë kombëtare shqiptare, si dhe të komuniteteve të tjera kombëtare në vendin tonë, thuhet në fund të kumtesës.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *