MUSTAFI I PËRGJIGJET MITROVIQIT: RETORIKA JUAJ NXITË NDARJET ETNIKE

Bujanoc, 20 gusht 2024. Ragmi Mustafi, kryetar i Degës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc, vlerësoi se retorika e Nenad Mitroviqit shërben për të fshehur “realitetin e hidhur me të cilin ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Mitroviq, i cili është lider i progresistëve lokal dhe ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, ka shprehur habinë e tij, siç ka shkruar Bujanovaçke, se si nuk ka pasur diskriminim ndaj shqiptarëve në katër vitet e fundit, derisa ata kanë qeverisur me komunën.
Mustafi njoftoi se fjalët e Mitroviqit përfaqësojnë “një përpjekje të qartë për të rishkruar historinë dhe manipuluar opinionin publik”.
– Fakti është se Mitroviqi po përpiqet të mohojë ose minimizojë shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur dhe po ndodhin, duke krijuar një narrativë të rreme. Shqiptarët e Luginës ishin dhe janë ende të ekspozuar ndaj diskriminimit etnik, ekonomik dhe institucional. Këtë realitet e dëshmojnë edhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat vazhdimisht kanë raportuar për shkeljet e të drejtave dhe padrejtësitë që ndodhin në rajon.
Pyetja ironike se si nuk paska pasur shkelje të të drejtave të njeriut gjatë periudhës kur shqiptarët ishin në pushtet është jo vetëm e pavërtetë por edhe fyese për viktimat e diskriminimit dhe përpjekjet e tyre për të siguruar një pozitë të barabartë dhe një jetë dinjitoze, në një kohë sfidash të jashtëzakonshme dhe mungesë të konsiderueshme të mbështetjes nga institucionet qendrore të cilat vazhdojnë të punojnë për të cenuar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në çdo nivel të qeverisjes”, ka vlerësuar Mustafi.
Ai shtoi se ishte i shqetësuar për mungesën e dënimit nga ana e Mitroviqit të mbishkrimeve me gjuhë të urrejtjes, që u shfaqën në dyert e Shtëpisë së shëndetit:
-Në vend që të angazhohet në një diskutim konstruktiv dhe të pranojë përgjegjësinë për situatën aktuale, Mitroviqi zgjedh të largojë vëmendjen nga realiteti. Kjo është një përpjekje e qartë për të nxitur ndarjet etnike, e cila do të kishte pasoja të rënda për stabilitetin dhe paqen në rajon, tha Mustafi dhe theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës gjithmonë kanë qenë në anën e drejtësisë dhe barazisë”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *