Bujanoc, 23. qershor 2021. Qeveria e Serbisë ka parapa çmime të reja, më të larta të taksave administrative republikane të cilat qytetarët dhe bizneset do t’i paguajnë nga 1 korriku i këtij viti. Nga muaji tjetër, qytetarët do të paguajnë më shumë, ndër të tjera, për të gjitha certifikatat, parashtresat, lejet e trafikut dhe lejet për mbajtjen e armëve.
Nga 1 korriku, qytetarët do të paguajnë taksën e përgjithshme mbi parashtresat, përkatësisht kërkesat 330, në vend të 320 dinarëve sa aktualisht është kjo taksë, ndërsa do të duhet të ndajnë 660 dinarë për certifikata, në vend të 640 dinarëve, që ishte çmimi i i kësaj takse deri më tani. Paralajmërimi me të cilin tatimpaguesi thirret të paguajë taksën do të kushtojë 290 dinarë, ndryshe nga 280 dinarë të mëparshëm.
Çmimi i ekstrakteve nga librat e amzës në formatin e brendshme mbetet i pandryshuar dhe arrin në 120 dinarë, ndërsa çmimi i ekstrakteve të destinuara për jashtë do të rritet për 10 dinarë, nga 420 në 430 dinarë. Për regjistrimin në librin e amzës të vdekjeve, vendimin për kërkesën për ndryshimin e emrit personal, si dhe vendimin për lidhjen e martesës përmes një përfaqësuesi ligjor, do të jetë e nevojshme të veçohen 490 dinarë në vend të 480 sa ishte deri më tani. Çmimi i ri i tarifës për certifikatën nga libri i amzës mbi statusin martesor nga 1 korriku do të jetë 900, në vend të 880 dinarëve.
Tarifat administrative për patentë shofer, provues dhe ndërkombëtar, gjithashtu nga 1 korriku do të kenë çmime të reja, kështu që të gjitha kërkesat për lëshimin e këtyre lejeve si dhe dublikatat, do të kushtojnë 290 dinarë, në vend të 280 dinarëve. Tarifa për lëshimin e patentë shoferit provues dhe të rregullt do t’i kushtojë qytetarëve 1.140 dinarë, në vend të 1,100 dinarë, ndërsa tarifa për lëshimin e patentë shoferit ndërkombëtar do të llogaritet me çmimin 540 dinarë, në vend të 530 dinarëve të mëparshëm.
Gjithashtu, për kërkesën mbi lëshimin e licencës së re të trafikuk, do të jetë e nevojshme të veçohen 680 dinarë në vend të 660 dinarëve të mëparshëm, ndërsa certifikata e regjistrimit të përkohshëm do të kushtojë 2.400 dinarë në vend të 2.330 dinarëve. Shoferët e taksive do të duhet të paguajnë 1.140 dinarë në vend të 1.110 dinarë për tarifën administrative për targat e shënuara “TX”.
Çmimet e reja të tarifave administrative gjithashtu i referohen kërkesave, lejeve dhe miratimeve për blerjen, bartjen dhe shitjen e armëve në territorin e Serbisë. Për kërkesën për lëshimin e miratimit për blerjen e pistoletave, revoleve, karabinave të gjuetisë dhe armëve të vogla, do të jetë e nevojshme të veçohen 5.780 dinarë, në vend të 5.620 dinarëve të mëparshëm. Çmimi i ri i tarifës për kërkesën për lëshimin e lejes për mbajtjen e një arme do të arrijë në 8.640 dinarë, në vend të 8.400 që janë nevojitur deri më tani. Çmimi i lejes për mbajtjen e një arme do të rritet nga 910 dinarë në 940 dinarë.