Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc, 14. qershor 2022. Në një sesion publik të martën, afaristët nga Bujanoci u njoftuan mbi konkursin për programin zhvillimor BE PRO, përmes të cilit do të ndahen grante deri në 40 mijë euro për ndërmarrës, mikro dhe ndërmarrje të vogla.
Për këtë thirrje publike, Bashkimi Evropian ka ndarë gjithsej 3 milionë euro për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe konkurrencës në rajonet e Shumadisë, Serbisë perëndimore, jugore dhe lindore.
– Mjetet janë të pakthyeshme dhe janë të destinuara për blerjen e pajisjeve të reja dhe futjen e shërbimeve në këto kompani, ndërsa mund të aplikojnë kompanitë dhe sipërmarrësit e angazhuar në prodhimin dhe ofrimin e shërbimeve të regjistruara në periudhën 2016-2020, në 99 qytete dhe komuna të përfshira në programin BE PRO- tha për Bujanovaçke Goran Zllatkoviq, bashkëpunëtor i projektit.
Për grante nga 10.000 deri në 40.000 euro mund të aplikojnë kompanitë e prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve në sektorët e teknologjisë së informacionit, shërbimeve arkitektonike – inxhinierike, kujdesit social dhe shëndetësor dhe shërbimeve në turizëm.
– Mjetet janë të pakthyeshme në masën 80 për qind, që është një mundësi e jashtëzakonshme për sipërmarrësit, ndërsa për sipërmarrësit nga vetëqeverisjet lokale të grupit të katërt zhvillimor, shuma e mjeteve të pakthyeshme është 85 për qind, ndërsa bashkë- financimi është 15 për qind – shtoi Zllatkoviç.
Thirrja është e hapur deri më 30 qershor ndërkaq më shumë informacion rreth vetë thirrjes, kriteret për përzgjedhjen e përdoruesve, mënyrën e aplikimit, si dhe dokumentacionin e nevojshëm gjenden në faqen e internetit euproplus.org.rs.
Në seancën e sotme informative në Shtëpinë e Kulturës së Bujanocit morën pjesë pesëmbëdhjetë ndërmarrës nga territori i komunës së Bujanocit, të cilët patën mundësinë të njihen me programin dhe të informohen për detajet që i interesojnë.