Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 1. gusht 2022. Në vendkalimin Dheu i Bardhë, afër fshatit Konçul të komunës së Bujanocit, nga mbrëmë janë lëshuar certifikata speciale për hyrje në Kosovë për qytetarët që kanë letërnjoftime serbe. Se Policia e Kosovës lëshon vërtetime, në vendin e ngjarjes e konfirmoi edhe gazetari i Bujanovaçke.
-Kolona është e gjatë një kilometër, por vendkalimi është duke punuar – njoftoi ai nga vendi i ngjarjes.
Ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveçla tha se ka filluar shpërndarja e dokumenteve për hyrjen e qytetarëve serbë, me përjashtim të pikave të kontrollit në Jarinje dhe Bërnjak, të cilat mbeten të mbyllura për shkak të barrikadave.
Mediat kosovare kanë raportuar mbrëmë vonë se qeveria në Prishtinë ka marrë vendim që për një muaj të shtyjë zbatimin e masave për kartat e identitetit dhe targat.
Sveçla ka deklaruar në Facebook se vendimi i Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse do të vazhdojë të zbatohet derisa të hiqen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave dhe se pas heqjes së të gjitha barrikadave vendimi në fjalë do të pezullohet deri me 1 shtator.
Të dielën (31 korrik), qytetarët e komunave veriore, me shumicë serbe në Kosovë, të pakënaqur me vendimin për kartat e identitetit dhe targat, bllokuan rrugët kryesore për në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak, të cilat policia e Kosovës më pas i mbylli për qarkullim.
Sirenat e alarmit janë dëgjuar në pjesën veriore të Mitrovicës në pjesën më të madhe të ditës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në disa lokacione në veri të Kosovës dhe se disa prej tyre kanë pasur në shënjestër njësitet policore, por nuk ka të lënduar, raportojnë mediat.