Bujanoc, 24 shtator 2022. Deputeti i Bujanocit, Shaip Kamberi, thotë se hapja e Zyrës për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, është një hap i rëndësishëm për shqiptarët në këto tri komuna të Serbisë.
“Është e qartë se vetë qytetarët e Luginës nuk e kanë fuqinë politike për t’u përballur me Serbinë e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Ne kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria”, tha Kamberi të premten për KTV-në e Prishtinës.
Zyra do të drejtohet nga kolegia e partisë së Kamberit, Ardita Sinani, e cila së fundi është emëruar këshilltare politike nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Se kush do të drejtojë zyrën, për Kamberin është një çështje irelevante.
“Është e rëndësishme që shteti të marrë obligimet e duhura sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha ai.
Kamberi ka ripërsëritur se pret që në dialogun në Bruksel të ngrihet si temë çështja e shqiptarëve në Serbi.
“Ajo që presim është që çështja e Luginës të shtrohet si temë e diskutimit në bisedimet me Serbinë. Të shohim sa sukses do të ketë. Të shohim se sa të gatshëm do të jenë ndërmjetësit për ta pranuar këtë si temë. Nëse këtu ka sukses, atëherë mund të themi se qeveria aktuale ka bërë një punë të mirë. Në marrëveshjen eventuale me Serbinë, çështja e Luginës nuk duhet lënë anash, përndryshe e ardhmja e shqiptarëve të Luginës nuk është e ndritur”, ka thënë Kamberi.
Ai tha se kërkesa e qartë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është parimi i reciprocitetit.
“Ajo që u garantohet serbëve në Kosovë duhet të vlejë edhe për shqiptarët në Serbi”, tha ai.