Bujanoc, 7 nëntor 2022. Gjykata Administrative e anuloi emërimin e Millovan Aleksiqit për drejtor të EP “Gëzimi ynë” në Bujanoc, pas padisë së kryedukatores Biljana Trajkoviq, e cila edhe në konkursin e kaluar kishte aplikuar për pozitën e drejtoreshës.
Më 23 shtator të këtij viti, Gjykata e anuloi vendimin e ministrisë për emërimin e Aleksiqit drejtor dhe e ktheu lëndën për rivendosje.
Aleksiqi, megjithatë, thotë se ky vendim i gjykatës nuk nënkupton largimin e tij nga pozita që mbanë.
Konkursi për drejtor të këtij enti është hapur në dhjetor të vitit 2020 ndërsa Ministria e Arsimit ka marrë vendim për emërimin e Aleksiqit më 29 prill të vitit 2021.
Kështu, Aleksiqi mori mandatin e tretë si drejtor i EP “Gëzimi ynë” në Bujanoc.
Jo shumë kohë më vonë, në qershor të vitit 2021, Trajkoviq ngriti një padi kundër ministrisë në Gjykatën Administrative dhe gjykata vendosi në favor të saj.
Në arsyetimin e aktgjykimit, ndër të tjera, thuhet se ministria ka vlerësuar se Aleksiqi i plotëson të gjitha kushtet, ndonëse inspeksioni arsimor komunal ka konstatuar se ai nuk ka licencë për drejtor, të cilën duhet ta marrë me ligj brenda dy viteve nga marrja e detyrës.
Gjykata Administrative konstatoi se vendimi për emërimin ishte i paligjshëm edhe për shkak se dispozita nuk përcaktonte datën e fillimit të mandatit dhe kohëzgjatjen e tij.
Aleksiq ka konfirmuar për Bujanovaçke se Gjykata Administrative e ka anuluar vendimin me të cilin ministri i Arsimit e ka emëruar drejtor, por pret që të emërohet sërish në këtë pozitë.
– Është e kontestuar licenca e drejtorit, të cilën realisht nuk e kam, por jo për fajin tim. Nuk munda të bëja testin sepse ministria ishte në pritje të miratimit të rregulloreve. Rregullorja për marrjen e licencës është miratuar në vitin 2019 ose 2020 dhe ka një kategorizim, kështu që në atë moment më ka mbetur vetëm ftesa, fillimisht për trajnim, pastaj për testim. Kur u hap konkursi, unë tashmë isha në trajnim – thotë Aleksiq.
Ai theksoi se pret që deri në fund të vitit kalojë provimin për licencë dhe në këtë mënyrë t’i hiqen të gjitha pengesat që ministri të nxjerrë një vendim të ri për ta emëruar drejtor të këtij enti.
– Ngase gjykata vendosi pikërisht këtë, t’ia kthejë ministrit për rishqyrtim – thotë ai.
Në padinë e Trajkoviqit thuhet se Aleksiqi nuk i plotëson kushtet për t’u zgjedhur drejtor dhe për shkak se kundër tij po zhvillohet procedurë penale në Gjykatën Themelore në Bujanoc, por ministria i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara sepse “ligji nuk e parashehë se kjo përbën pengesë për emërimin e drejtorit”.