NË BUJANOC NUMËR I NJËJTË I BANORËVE SI PARA 20 VITESH

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, Preshevë, 27. dhjetor 2022. Përkundër faktit të largimit të njerëzve nga Bujanoci dhe Presheva, rezultatet e para të regjistrimit të vitit 2022 tregojnë se numri i banorëve në këto dy komuna është pothuajse i njëjtë me atë të 20 viteve më parë. Bujanoci ka rreth 600 banorë më pakë, ndërsa në Preshevë jetojnë 200 më shumë se atëherë.

Numri i shqiptarëve në Serbi gjithashtu nuk ka ndryshuar ndjeshëm – sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2002, kishte 61,647 banorë shqiptarë, ndërsa drejtori i Entit Republikan të Statistikave (ERS) Milladin Kovaçeviq javën e kaluar paraqiti një vlerësim të bazuar në regjistrimin e vitit 2022 se numri i shqiptarëve të këtushëm është nga 61,000 shqiptarë deri në 62,000 banorë.

ENTI STATISTIKOR: NË BUJANOC DHE PRESHEVË AKTUALISHT JETOJNË 62000 SHQIPTARË

Në rezultatet e para të regjistrimit, të cilat ERS-ja i publikoi javën e kaluar, dhe për të cilin shkroi Bujanovaçke, nuk ka të dhëna për strukturën etnike të popullsisë.

Tashmë dihet se komuna e Bujanocit ka 42.634 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 2002 kishte 43.302.

Në komunën e Preshevës para 20 vitesh jetonin 34.904 qytetarë, ndërsa tani janë 35.097.

Të dhënat nga regjistrimi i vitit 2011 për këto dy komuna nuk janë relevante, sepse shqiptarët e bojkotuan atë regjistrim.

Ndryshe, rezultatet e para të regjistrimit të këtij viti kanë treguar se në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë janë regjistruar 123.852 qytetarë, por se numri i banorëve, përkatësisht rezidentëve është gati 40.000 më pak – 84.169.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafa, i cili pas përfundimit të regjistrimit deklaroi se në tri komunat jetojnë rreth 96 mijë shqiptarë, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të para duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të monitorojë përpunimin e të dhënave dhe të parandalojnë, siç tha ai, falsifikimin e shifrave.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *