PARTIA E NAGIP ARIFIT: NUK DO TË MARRIM PJESË NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 17 DHJETORIT

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc,25. nëntor 2023. Nagip Arifi dhe Partia e tij Demokratike nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndonëse më herët kishin paralajmëruar se do të marrin pjesë, madje kanë publikuar edhe kandidaturën e Arifit për deputet. Kryetari aktual i komunës së Bujanocit ka marrë vendim që të mos marrë pjesë në zgjedhje vetëm dy ditë para afatit për dorëzimin e listave zgjedhore.
Siç deklaroi sot partia e tij, vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhje është marrë për të mos thelluar më tej përçarjet mes shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
“Duke marrë për bazë qëndrimet zyrtare të Prishtinës dhe Tiranës, por edhe duke parë se lista e përbashkët është shumë e vështirë për t’u arritur”, thuhet në deklaratë.
Bujanovaçke më herët kishte njoftuar se Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Shaip Kamberit tashmë ka mbledhur koalicionin e saj nëdrsa pritej që Arifi të shkojë në zgjedhje në aleancë me Alternativën për Ndryshim.
“PD ishte e hapur për bisedime me çdo parti politike që synon unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe kemi pasur takime edhe me drejtuesit e Alternativës dhe PVD-së. Që nga fillimi kemi hasur në mosmarrëveshje të mëdha në mes të dy blloqeve, të cilat kanë luftuar vetëm për rangimin e kandidatëve dhe për pasojë nuk kemi arritur marrëveshje”, kanë thënë nga partia e Arifit.
Ata arritën në përfundimin se nëse deri më 26 nëntor arrihet një marrëveshje për një listë të vetme të partive shqiptare, Partia Demokratike do ta mbështesë atë listë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *