SHUMICA NË KUVENDIN KOMUNAL TË BUJANOCIT APROVON BUXHETIN PËR VITIN 2024, NË SHUMË PREJ 2 MILIARDË DINARË

SHUMICA NË KUVENDIN KOMUNAL
Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 20. dhjetor 2023. – Shumica qeverisëse shqiptare, në seancën e sotme të Kuvendit, miratoi buxhetin për vitin 2024 në shumë rekorde prej 2 miliardë dinarësh. Si opozita serbe ashtu edhe ajo shqiptare kritikuan ashpër propozimin e buxhetit. Këshilltarët nga partitë serbe theksuan se buxheti edhe një herë e ka dëmtuar komunitetin serb, i cili nuk ka marrë aq para sa duhet.
Për t’i demantuar akuzat, kryetari i komunës, Nagip Arifi, nga foltorja e kuvendit ka valëvitur propozimin për ndarjen e parave për projektet infrastrukturore të dorëzuara nga të gjithë këshilltarët serbë dhe ka kërkuar që t’i “bëjnë llogaritë”.
Miodrag Millkoviq nga koalicioni rreth SNS-së i është përgjigjur nga vendngjarja Arifit se ai sërish po “përzien lisat me fshisat”.
– Lexoni shumën që kemi kërkuar për 24 projekte në zonat serbe. Ne kërkuam aq sa i takon komunitetit serb – 99 milionë dinarë nga 323 sa ishte planifikuar, dhe ju pranuat vetëm një duzinë projekte dhe një shumë dukshëm më të vogël – u përgjigj Millkoviq.
Ky adresim i Arifit u pasua me replikë të Stojança Arsiqit.
Kritikat e shumta të opozitës, të cilat Bujanovaçke i ka shkruar gjatë seancës së sotme, por edhe propozimet, janë refuzuar nga shumica qeverisëse.
Përveç 323.4 milionë dinarëve për infrastrukturë, buxheti parasheh edhe 15 milionë për subvencione për ndërmarrësit, 13 milionë për fermerët, prej të cilëve 4 janë nga Trupi Koordinues dhe 15 milionë për ndihmë të njëhershme për studentët.
Komuna e Bujanocit edhe vitin e ardhshëm do të jetë njëra nga ato që ndanë më së paku për sport, sepse në buxhet janë paraparë 6 milionë grante për klubet sportive. Për media janë ndarë 5.5 milionë dinarë.
Buxheti për vitin e ardhshëm ndër të tjera përfshinte 250 milionë dinarë për rindërtimin e shkollës në Bilaç dhe rreth 65 milionë dinarë nga Tirana për ndërtimin e sallës sportive në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, por edhe 93.5 milionë dinarë për palestrën sportive në SHF “Muharem Kadriu” në Tërnoc.
Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për investime nga buxheti i Trupit Koordinues prej gjithsej 93 milionë euro. Bujanovaçke tashmë ka shkruar për shpërndarjen e këtyre parave.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *