ZJARRET RRETH BUJANOCIT, NË DOBROSIN KAPLOHEN EDHE OBJEKTET FAMILJARE

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 15 gusht 2024. Të gjitha zjarret në territorin e komunës së Bujanocit janë lokalizuar apo shuar deri të mërkurën në mbrëmje. Më kritike ishte në Dobrosin, ku zjarri përfshiu dy shtëpi ndërsa një objekt ndihmës u dogj. Nuk ka pasur të lënduar. Një pengesë e madhe gjatë shuarjes kanë qenë minat e mbetura ndërkohë që ka pasur rreth 55 shpërthime. Për momentin kudo është qetësi – ka thënë për portalin tonë, shefi i Shtabit për situata të jashtëzakonshme në Bujanoc, Ali Asllani.
– Dje kishim shtatë zjarre. Problemi ishte në Novosellë, Boroc, Bilaç, Bërnjare dhe Sejac, si dhe në Dobrosin. Aty ishte më kritike, zjarri përfshiu të dy anët e fshatit. Zjarri ka mbërritur në shtëpitë që ndodhen pranë pyllit, por ka kaluar pa shumë dëme. Është djegur vetëm një objekt ndihmës dhe janë prekur dy objekte banimi, por zjarrfikësit kanë reaguar shpejt, kështu që nuk janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke marrë parasysh përmasat e zjarrit – thotë Asllani.
Në shuarjen e zjarrit në Dobrosin, përveç zjarrfikësve nga Vranja dhe Bujanoci, janë bashkuar më shumë se 30 banorë vendas, ku është angazhuar edhe ushtria. Përveç tyre, i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.
Një problem shtesë në Dobrosin ishin minat e mbetura.
– Kemi pasur 55 shpërthime dhe se për këtë nuk kam mundur tëurdhëroj askënd që ta shuajë zjarrin, për të mos rrezikuar sigurinë e njerëzve – thotë Asllani.
Ishte kritike në Sejacë dhe Baralevc, por tani situata është nën kontroll.
– Kam biseduar me njerëz që ishin aty dhe më thanë se situata është qetësuar. Të gjitha zjarret janë lokalizuar ose janë shuar plotësisht deri në mesnatë – shton ai.
Gjithçka është e qetë për momentin.
– Prej mëngjesit të sotëm nuk kemi marrë njoftime se diku ka rënë zjarr. Kontrolli është ende duke u kryer nga njësia e zjarrfikësve, pasi mund të ketë mbetur diku ndonjë zjarr më pak i fortë. E rëndësishme është që do të kemi ndihmën e një njësie të specializuar nga mbrojtja civile, kështu që tani duhet të jetë më e lehtë – shton Asllani.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *