KAMBERI I SHQETËSUAR PËR SHKAK TË BUXHETIT, THOTË SE ËSHTË DISKRIMINUES PËR PAKICAT

Bujanoc, 24. nëntor 2024. Buxheti republikan për vitin 2025 sërish diskriminon pakicat, të cilat përbëjnë 20 për qind të qytetarëve të Serbisë, por është bujar ndaj serbëve në Kosovë, tha deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi. Ai është veçanërisht i hidhëruar sepse propozimi i tij për subvencione për biznesmenët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë u refuzua këtë vit.
Diskriminimi mund të shihet edhe në faktin se vetëm 576 milionë dinarë janë planifikuar për ministrinë e pakicave. Nga ana tjetër, mbi 17 miliardë dinarë do t’i ndahen Zyrës për Kosovë, e cila kujdeset për nevojat e serbëve në Kosovë, krahason deputeti.
Seanca parlamentare për propozim-buxhetin fillon të hënën, pasi Qeveria e Serbisë ka dorëzuar në Kuvend Ligjin për Buxhetin për vitin 2025.
Kamberi është veçanërisht i hidhëruar për shumën e ndarë për Trupin Koordinues (TK), i cili ndihmon Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën.
“Ka disa vite që buxheti i Trupit Koordinues nuk është rritur. Për vitin 2024 ishte 374 milionë dinarë, ndërsa plani për vitin 2025 është 375 milionë dinarë. Në vitin 2024 nga buxheti i përgjithshëm i TK-së janë ndarë 255 milionë dinarë për projekte zhvillimore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërsa për vitin 2025 janë planifikuar 253 milionë dinarë”, thotë Kamberi.
Ai kujton se dy nga propozimet e tij janë refuzuar si nga parlamenti ashtu edhe nga qeveria:
“Në rishikimin për vitin 2024 kam propozuar që buxheti i TK-së të rritet me 120 milionë. Prej tyre 100 milionë për projekte infrastrukturore dhe 20 milionë për subvencione për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thotë deputeti i vetëm shqiptar.
Ai shton se ka propozuar që në buxhetin për vitin 2025 të ndahen 200 milionë dinarë për investime kapitale në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, për të cilat duhet të vendosë Kuvendi.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *