Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 2 nëntor 2020. Edhe për një kohë shoferët do të thyejnë veturat e tyre në rrugicën Bora Stankoviq sepse nuk dihet se kur do të fillojë asfaltimi i kësaj rrugice, e cila duhet të përshkohet për të kaluar nga një pjesë në pjesën tjetër të Bujanocit.
Asfaltimi i rrugëve në qendër të Bujanocit është ndalur përsëri për arsye të panjohura, ndërsa se kur do të vazhdojë varet ekskluzivisht nga kompania “Saba Bellça”, e cila, sipas kryetarit të komunës Nagip Arifi, në cilësinë e kontraktorit ka punuar kokë më vete.
– Ministria e ndërtimit dhe trafikut, e cila është financuesi i rindërtimit të rrugës kryesore, ka pezulluar projektet për shkak të Covid-19, ndërsa nënkontraktori “Saba Bellça” punimet që ka kryer deri më tani i ka bërë kokë më vete – tha Arifi të hënën në seancën e Këshillit Komunal.
Ai theksoi se vetëqeverisja lokale nuk ka autoritet në këtë projekt dhe nuk mund të vendosë ndonjë masë.
– Dikush tjetër është përgjegjës. Ne i kemi dërguar një letër ministrisë, por ende nuk kemi marrë përgjigje – thotë kryetari i komunës.
Asfaltimi i një pjese të rrugës kryesore nga Posta deri në parkun e qytetit, pas një vonese prej gati tre javësh, filloi të hënën e kaluar dhe asfaltimi u bë për dy ditë.
Megjithatë, për arsye të panjohura, makinat u tërhoq përsëri dhe rruga Bora Stankoviq mbeti ende e pa asfaltuar.
Rindërtimi i kësaj pjese në të dy drejtimet po zgjatë që prej 19 gushtit.