Bujanoc, 28.4.2021.- Në stacionin policor të Bujanocit kanë arritur qindra kërkesa për të verifikuar adresat e qytetarëve, mëson FOLonline nga burimet brenda MPB-së së Serbisë.
“ Vetëm për Tërnocin ekzistojnë rreth 100 kërkesa të tilla”, pohojnë të njejtat burime.
Nën kushtet e anonimitetit të plotë, burimet brenda MPB-së, theksojnë se tashmë kërkesat kanë filluar tu shpërndahen nëpunënsve policorë nëpër vendbanime.
“Detyrë e policëve është të shkojnë në adresat e qytetarëve të caktuar për t’i verifikuar nëse ndodhen nëpër shtëpi apo banesa ku e kanë të paraqitur vendbaninin” saktësojnë këto burime.
Sipas të njejtave burime, në mesin e përsonave që duhet verifikuar ka edhe të tillë të cilët janë identifikuar duke hyrë në Serbi por me vetura me targa kosovare.
Kujtojmë se subjektet politike shqiptare, institucionet dhe personalitetet publike pasivizimin e deritanishëm të adresave të shqiptarëve të Luginës e kanë konsideruar si veprim të qëllimshëm të autoriteteve serbe për të zvogluar popullsinë shqiptare në këtë rajon, ndërsa zyrtarët shtetëror këtë veprim e shohim si diçka që përkon me suazat ligjore.