Bujanovaçke, 25 qershor 2021.
Bujanoc, 25 qershor 2021. – Dy organizata të shoqërisë civile, themeluesit e të cilave janë të punësuar në qeverinë lokale, secila mori nga 120.000 dinarë në konkursin e Komunës së Bujanocit, që është një konflikt klasik interesi dhe hap mundësinë e korrupsionit. Për pasojë përfaqësues të disa OJQ-ve nga Bujanoci kërkojnë që ky konkurs të anulohet.
Shoqatat e drejtuara nga punonjësit e komunës janë “Vlera Lugina” përfaqësuesi i së cilës është Gani Aliu, i punësuar në Drejtoratin e financave dhe “Budućnost” themeluesi i të cilit është Gezim Murati, i ngarkuar me punët e Kuvendit, të cilat, sipas “Propozimit të vendimit për financim të OJQ-ve”,morën nga 1.000 euro (kundërvlera në dinarë).
Aktet ligjore të Komunës së Bujanocit nuk përcaktojnë në mënyrë të qartë se kush mund të marrë pjesë në konkurs, kështu që në këtë rast të veçantë, nuk janë shkelur normat juridike, por normat etike.
Dragan Gjorgjeviq, kryetar i Këshilli lokal për të drejtat e njeriut nga Nishi, i cili për një kohë të gjatë merret me çështjen e (keq)përdorimit të parave publike, thotë për Bujanovaçke se është shumë indikative që njëra nga organizatat (Vlera Lugina) u themelua në prag të hapjes së konkursit:
– Problemi në këtë rast përkon me faktin se përmes interesit publik po realizohet interesi personal, ngase ekziston mundësia që punonjësi i komunës të ndikojë në ndarjen e fondeve. Nëse nuk përcaktohet askund që një punonjës komunal nuk lejohet të marrë pjesë në konkurse komunale, atëherë kjo që ka ndodhur në Bujanoc nuk është në kundërshtim me normat juridike, por me ato etike – thotë Gjorgjeviq.
Ai shton se ka shembuj të ngjashëm në të gjithë Serbinë, ku zyrtarët e partive krijojnë organizata joqeveritare në mënyrë që përmes tyre partitë dhe individët të përfitojnë nga paraja publike.
Mladen Jovanoviq nga Koalicioni kombëtar për decentralizimin (KKD) ka një mendim të ngjashëm.
– Ajo që ka ndodhur në Bujanoc po ndodh në tërë Serbinë, ngase nuk është përcaktuar ligjërisht se kush dhe në çfarë kushtesh mund të marrin pjesë në konkurset e shpallura nga qeveritë lokale ose institucionet shtetërore. Ndryshe nga Serbia, kjo zonë është e përcaktuar qartë në BE, ku gjëra të tilla janë të pamundura – thotë Jovanoviq.
Aktivistët lokalë të OJQ-ve me të cilët biseduam, përfshirë anëtarët e të tre komuniteteve dominues në Bujanoc, ishin të zemëruar nga veprimet e komisionit, por nuk donin të flisnin publikisht për këtë.
Sidoqoftë, ata bien dakord në kërkesën se konkursi duhet anuluar.
Slika: Themeluesi Gezim Murati
Sali Salihu, shefi i kabinetit të kryetarit të Bujanocit, kur u pyet për të komentuar mbi faktin se paratë u ishin dhënë organizatave të punonjësve të administratës komunale, u përgjigj shkurt:
– Unë nuk kam asgjë me të, kontaktoni kryetarin e komisionit!
Kryetari i Komisionit, Bejxhet Selimi është gjithashtu i punësuar në Administratën komunale.
Duhet të kujtojmë se pasi Bujanovaçke shkroi për konfliktin e interesit të pranishëm në vendimin që kishte miratuar Komisioni për alokimin e fondeve për klubet sportive, kryetari i komisionit dha dorëheqjen nga ajo pozitë.
Konkursi që u zhvillua më vonë u anulua për shkak të shpërndarjes së paligjshme të parave, i cili u anulua pas raportimeve të Bujanovaçkes.