AKTAKUZË KUNDËR ARDITA SINANIT PËR SHKAK TË SUBVENCIONEVE PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRËSISË NË PRESHEVË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc 18 janar 2022. – Departamenti i Posaçëm për Luftimin e Korrupsionit në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish ka ngritur aktakuzë kundër kryetares së komunës së Preshevës, Ardita Sinani, për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë ndarjes së subvencioneve për zhvillimin e ndërmarrësisë lokale. Sinani dhe dy anëtarë të Komisionit për zhvillimin e ndërmarrësisë akuzohen se e kanë dëmtuar Komunën e Preshevës për gjithsej 2.58 milionë dinarë, sepse u kanë mundësuar të marrin subvencione ndërmarrësve që nuk i plotësojnë kushtet.

Në aktakuzën e ngritur më 27 dhjetor të vitit të kaluar, të cilën e ka siguruar Bujanovaçke, thuhet se e akuzuara Ardita Sinani më 05.09.2017, në cilësinë e kryetares së Komunës dhe Këshillit Komunal, “nga mosushtrimi i detyrës zyrtare kanë përfituar I.G. nga Presheva dhe M. SH. nga Rahovica në shumë prej 360.000 dinarë, edhe pse nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara me konkursin publik”.

Në të vërtetë, ata kanë dorëzuar kërkesa për subvencione pas skadimit të afatit dhe Këshilli Komunal ka marrë vendim që t’u ndahet nga 180 mijë dinarë, të cilin Sinani e ka vërtetuar me nënshkrimin e saj.

“Me ç’rast ajo ka qenë e vetëdijshme për veprën e saj dhe ndalueshmërinë e mosushtrimit të detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për një person tjetër, duke kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 359 par. 1 të Kodit Penal”, thuhet në aktakuzë.

Kryetari i Komisionit, Ruzhdi Junuzi dhe anëtari Blerim Mehemti ngarkohen se “me marrëveshje në të njëjtin konkurs në vitin 2017 iu kanë mundësuar përfitim pasuror fituesve të subvencioneve në shumë prej 2.2 milionë dinarëve”, edhe pse fituesit nuk i kanë përmbushur kushtet e konkursit.

Ata kanë përpiluar listën e kandidatëve, të cilën më pas e kanë dorëzuar në Këshillin komunal me propozim për pagesën e subvencioneve, ndërsa Junuzi ka falsifikuar nënshkrimin e anëtarit të tretë të komisionit që nuk ka marrë pjesë në përpilimin e listës.

Kështu kanë përfituar para nga buxheti i Komunës 11 ndërmarrës të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet e konkursit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *