Bujanoc, 16. maj 2022. Për 100 euro ndihmë shtetërore, të rinjtë e moshës 16 deri në 29 vjeç mund të aplikojnë nga sot e deri më 31 maj në portalin e Administratës së Thesarit idp.trezor.gov.rs.
Ndihma do të alokohet në datat 1, 2 dhe 3 qershor.
Siç tha më herët ministri i Financave, Sinisha Mali, të drejtën e aplikimit kanë të rinjtë që nuk kanë aplikuar në raundin e parë ndërsa ata që tashmë kanë aplikuar nuk do të kenë nevojë ta përsërisin një veprim të tillë.
Sipas tij, procesi i ri i aplikimit hap mundësinë për ata që ndërkohë kanë mbushur 16 vjeç, apo e kanë fituar atë të drejtë në ndonjë mënyrë tjetër, përkatësisht nëse herën e kaluar kanë pasur të drejtë, por nuk kanë dashur të aplikojnë.
Ministria e Financave bëri të ditur se në aplikacion duhet të shënohet numri i ID-së, numri personal dhe llogaria në bankën ku dëshironi t’u alokohen 100 euro.
Nëse një person nuk ka llogari bankare, ai zgjedh vetëm emrin e bankës, ndërsa ministria do të hapë një llogari të përkohshme në atë bankë në emër të tij dhe ai do të mund të tërheqë para me ndonjërin prej dokumenteve personale.