Shkruan: D. Stoshiq
Bujanoc, 26 shtator 2022. Pas shtyrjes së tretë të afatit për bashkëfinancim për përmirësimin e efikasitetit energjetik të amvisërive (ndërrimi i zdrukthtarisë, vendosja e kaldajave, paneleve diellore dhe izolimit) nga buxheti komunal dhe ai shtetëror, aplikuan 131 banorë të komunës së Bujanocit. është konfirmuar për portalin tonë në vetëqeverisjen lokale.
Kryeshefja e Departamentit komunal për Investime dhe Zhvillim, Fazila Azemoviq, i tha Bujanovaçkes se hapja e aplikacioneve të pranuara dhe kontrollimi i korrektësisë administrative është në proces.
– Pas publikimit të listës preliminare dhe vendosjes rreth kundërshtimeve eventuale nga qytetarët, përpilohet lista përfundimtare, e cila shkon për miratim në Këshillin komunal – thotë Azemoviq.
Ajo theksoi se Drejtorati për Investime dhe Zhvillim ka ndërmarrë një fushatë aktive për motivimin e popullatës për pjesëmarrje në program dhe se në rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës është formuar Komisioni kompetent nga Këshilli Komunal.
Ajo shpjegon se Komisioni do të bëjë vizita në teren dhe do të kontrollojë gjendjen aktuale me gjithçka që është shkruar në aplikime.
– Komisioni duhet të dalë në terren për t’u siguruar që ajo që shkruhet në aplikime është vërtet e tillë. Kur të marrim konfirmimet edhe nga kontraktori edhe nga aplikuesit se punët kanë përfunduar, atëherë Komisioni largohet dhe vetëm atëherë i jepet konfirmimi Drejtoratit për investime dhe zhvillim se mund të bëhet transferimi i mjeteve – thotë Azemoviq.
Një hap i rëndësishëm pas gjithë kësaj, shton ajo, është lidhja e një marrëveshjeje trepalëshe – Komuna, kompanitë dhe amëvisëritë.
Sipas saj, shtyrja e afatit për aplikimin e qytetarëve për subvencione për ndërrimin e zdrukthtarisë, vendosjen e izolimit, vendosjen e kaldajave dhe paneleve diellore ka dhënë rezultat sepse numri i aplikimeve nga qytetarët e komunës së Bujanocit është më i madh se sa mjetet në dispozicion.
– Kemi marrë fonde të jashtëzakonshme. Ne mund të bashkëfinancojmë rreth 107 amvisëri dhe numri i aplikimeve është 131. Përvojat e komunave të tjera na tregojnë se në një moment dhe për ndonjë arsye njerëzit mund të dorëzohen, por sigurisht që jemi të kënaqur me reagimin e qytetarëve dhe shpresoj se të gjithë ata që janë korrekt me dokumentacionin do ta kalojnë konkursin – përfundoi ajo.
Kujtojmë se për Programin për rehabilitimin energjetikë janë përzgjedhur 8 kompani, 4 prej tyre nga Bujanoci ndërsa kishte shtyerje të afatit edhe për aplikimin e kompanive.
Mjetet totale të planifikuara të Komunës së Bujanocit dhe Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për këtë qëllim kalojnë 13 milionë dinarë, për të cilat Bujanovaçke tashmë ka shkruar.