Bujanoc, 11 tetor 2022 – Nën sloganin “Merr pjesë në regjistrim, lër gjurmë”, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social fton të gjitha pakicat kombëtare që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Republikën e Serbisë, i cili zgjat deri në 31 tetor.
Fushata e ministrisë “Të gjithë ne, së bashku, bëjmë Serbinë”, po zbatohet me qëllim të inkurajimit të pjesëtarëve të pakicave kombëtare për të marrë pjesë në regjistrim, thotë ministria.
Ministria ka publikuar videoklipe në YouTube me ftesë për të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e pakicave të tjera kombëtare në Serbi, në të cilat u thuhet “deklaroni lirisht përkatësinë tuaj kombtare”.
Përkrahja për fushatën u dha nga projekti “Mbështetje për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Serbisë” (BE PËR LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT DHE PËR TË DREJTAT THEMELORE), si pjesë e aktiviteteve që synojnë përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare.
Pas bojkotit në vitin 2011, ftesë për pjesëmarrjen e pakicës kombëtare shqiptare në regjistrimin e popullsisë kanë dërguar të gjithë liderët politikë të shqiptarëve në Bujanoc, për të cilën ka shkruar portali ynë.
Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Serbi bëhet nga Enti Republikan i Statistikave (ERS) dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.