Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 28 nëntor 2022. Flamuri i Shqipërisë që nga mëngjesi i sotëm është duke valëvitur në objektin e Komunës së Bujanocit dhe në selinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KSHK). Flamujt u ekspozuan me rastin e Ditës së Flamurit, festës kombëtare shqiptare.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, personalisht e vendosi flamurin shqiptar në ballkonin mbi hyrjen e Administratës së Komunës.
Ashtu si edhe vitin e kaluar, vendosja e flamurit u prit me duartrokitje nga këshilltarët e shumicës shqiptare në Kuvend dhe zyrtarë të Administratës Komunale.
Përveç flamurit shqiptar, janë edhe flamuri kombëtar serb dhe flamuri i Bashkimit Evropian.
Në ndërtesën e KKSh-së, në qendër të Bujanocit nuk ka flamur kombëtar serb ndërsa flamuri shqiptar është shpalosur nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Ragmi Mustafa.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit nuk do të ketë akademi formale në Shtëpinë e Kulturës.
Presidenti i KKSH Mustafa tha më parë se as Sllobodan Millosheviqi nuk ua mundi t’ua ndalonte shqiptarëve në Serbi të drejtën për të përdorur flamurin kombëtar të Shqipërisë, e këtë nuk mund ta bëjë as regjimi i Vuçiqit.
Për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar, për vite me radhë deri në tani, policia ka ngritur kallëzim kundërvajtës ndaj Ragmi Mustafës, punonjësve dhe drejtorëve të enteve publike, të cilët janë dënuar me gjobë për veprën penale nga neni 41, paragrafi 1, pika 3, të Ligjit mbi dukjen, përdorimin e flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë.
Ligji ndër të tjera parashikon se personi juridik do të dënohet me gjobë prej 50.000 deri në 500.000 dinarë për kundërvajtje nëse vendos stemën apo flamurin e një shteti të huaj në Republikën e Serbisë pa e vendosur stemën apo flamurin e Republikës së Serbisë, përveç nëse parashikohet ndryshe me një marrëveshje ndërkombëtare të konfirmuar.
Sipas ligjit për pakicat kombëtare, komuniteteve u lejohet të përdorin simbole kombëtare, por jo identike me simbolet e shtetit amë.
Shqiptarët refuzojnë të ndryshojnë në asnjë detaj simbolet kombëtare, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë, e cila, siç interpretojnë ata, u garanton atyre përdorimin e simboleve të tyre.