Bujanoc, 02. dhjetor 2022. Pensionet e para të rritura për nëntë për qind sot do t’u paguhen pensionistëve të vetëpunësuar, njoftoi ministri i Financave, Sinisha Malli.
Ai shtoi se të martën, më 6 dhjetor, pensione të rritura me nëntë për qind do të marrin ata që i përkasin kategorisë së pensionistëve ushtarakë dhe bujqësorë, ndërsa më 10 dhjetor do të paguhet kategoria e “të punësuarve”, që ka numrin më të madh të pensionistëve.
“Pensionet e rritura nga 1 nëntori u rritën me nëntë për qind, ndërkaq nga 1 janari 2023 do të pasojë një rritje e re prej 12,1 për qind, e cila do të çojë në faktin se pensioni mesatar në vitin 2023 do të jetë 20,8 për qind më i lartë në krahasim me 2022”, tha Malli.
Ai gjithashtu theksoi se pensionet po rriten nga viti në vit, edhe pse kriza në botë po vazhdon prej gati tre vitesh, fillimisht e shkaktuar nga pandemia, e më pas nga ngjarjet në Ukrainë.
Sipas parashikimeve të ministrisë, pritet që pensioni mesatar në dhjetor 2022 të jetë 287.2 euro, ndërsa në dhjetor 2023 të jetë 322 euro.
Ministri kujtoi se nga 1 janari pritet një rritje e pagave në sektorin publik prej 12.5 për qind, ndërsa për oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me kontratë do të rriten deri në 25 për qind.
Ai tha gjithashtu se nga 1 janari, paga minimale do të rritet për 14.3 për qind.