NXËNËSIT NË SERBI NËN MESATAREN E PISA-s, NXËNËSIT E KOSOVËS MË TË DOBËTIT

Bujanoc, 6. dhjetor 2023. Rezultatet e nxënësve në Serbi në testet e PISA-s për lexim, matematikë dhe shkencë janë ende nën mesataren ndërsa nxënësit nga Kosova kanë rezultatet më të dobëta në Ballkan.
Rezultate të dobëta u regjistruan edhe nga nxënësit e vendeve të rajonit: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Nxënësit nga Sllovenia janë pak më të mirë, raporton BBC.

Testet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) bëhen nga nxënës 15-vjeçarë çdo tre vjet, ndërsa nxënësit nga Azia shkëlqyen përsëri, kryesisht nga Singapori, Kina, Tajvani dhe Japonia.
“Arritjet e nxënësve nga Serbia janë në të njëjtin nivel si në ciklin e kaluar të vitit 2018, që do të thotë se nuk është humbur shumë gjatë periudhës kur shkolla ishte e parregullt dhe kaotike për shkak të pandemisë. Por ajo që matet me testin PISA, e që është mjaftë komplekse, mendimi i zhvilluar dhe zbatimi funksional i njohurive, nuk është i rëndësishëm për shkollat në Serbi”, thotë Dragica Pavloviq Babiq, ish-koordinatore e PISA-s në Serbi, për BBC në serbisht.
Rreth 690,000 nxënës nga 81 vende morën pjesë në sondazhin e vitit 2022, sipas faqes së internetit të Institutit për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit.
Ata përfaqësonin rreth 29 milionë nxënës 15-vjeçarë në shkolla nga 81 vende/ekonomi.
Qëllimi kryesor i testit PISA është të kontrollojë shkallën në të cilën të rinjtë janë në gjendje të kuptojnë dhe përdorin informacionin e dhënë gjatë zgjidhjes së problemeve relevante nga jeta e përditshme.
Krahas shkathtësive në lexim, matematikë dhe testimit në shkathtësitë shkencore, nxënësit zgjidhën detyra të të menduarit kreativ.
Të dhënat për të menduarit kreativ do të jenë të disponueshme në pranverën e vitit të ardhshëm.
Në testin PISA në Serbi morën pjesë më shumë se 6.413 nxënës nga 183 shkolla.
Rezultatet në shkencë dhe lexim tregojnë një përmirësim të lehtë në Serbi krahasuar me testin e vitit 2018, ndërsa në matematikë ka një rënie prej tetë pikësh.
“Që nga viti 2003, nxënësit nga Serbia kanë të njëjtat rezultate, që do të thotë se nuk po bëhet asgjë për ta rregulluar atë”, thotë Pavloviq Babiq.
Ajo beson se shkollat në Serbi duhet “të hapen më shumë drejtë njohurive që këmbëngulin në të kuptuarit, konkludimit, të menduarit kritik dhe të argumentuar e më pak në të mësuarit përmendësh.”
Është shqetësues fakti se një numër i madh i pesëmbëdhjetëvjeçarëve janë ende nën nivelin e shkrim-leximit funksional.
Rreth 43 për qind e të tillëve janë nga matematika, dhe pak më shumë se një e treta janë nga leximi dhe shkathtësitë e të mendarit shkencor.
Krahasuar me vitin 2012, në matematikë, lexim dhe shkencë, përqindja e nxënësve që kanë shënuar pikë nën nivelin bazë të aftësisë (niveli 2) nuk ka ndryshuar ndjeshëm.
Vetëm katër përqind e nxënësve nga Serbia mund të mburren me nivelin më të lartë të njohurive në matematikë, ndërsa mesatarja e OECD në atë fushë është nëntë përqind.
Vetëm dy për qind e nxënësve shënuan nivelin më të lartë të arritjeve në lexim dhe shkrim-lexim shkencor, ndërsa mesatarja e OECD-së është shtatë për qind.
Përkundër këtyre rezultateve, Qeveria e Serbisë sheh edhe diçka të mirë.
“Serbia renditet e 40-ta në lexim dhe shkencë, dhe e 42-ta në matematikë, që është një përmirësim në krahasim me vitin 2018, kur ishte e 45-ta në lexim dhe e 46-ta në shkencë dhe matematikë”, thuhet në njoftim.
Qeveria shton se “gjatë interpretimit të rezultateve të arritjeve, duhet pasur parasysh se, krahasuar me vitin 2018, performanca në vendet e OECD-së ra me 10 pikë në lexim dhe me gati 15 pikë në matematikë”.
Nxënësit nga Mali i Zi arritën rezultate më të këqija se në vitin 2018 dhe janë nën mesataren e OECD.
Kështu ata janë në vendin e 54-të në matematikë, të 56-të në lexim dhe të 62-të në shkencë.
Krahasuar me xënësit nga Mali i Zi, më keq janë bashkëmoshatarët e tyre nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Nxënësit në Slloveni dhe Kroaci dolën më mirë se nxënësit e tjerë në rajon.
Sllovenia është i vetmi vend nga ish-republikat jugosllave me rezultate mbi mesataren.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *