Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 10. janar 2024. Nga 1 janari bujanocasit do të paguajnë 10 për qind më shumë për ujë, kanalizim dhe grumbullim të mbeturinave, ndërsa shërbimet tjera të ndërmarrjes publike Komunalaia, siç janë shërbimet e parkimit, janë rritur për 20 për qind.
Sipas çmimores së re që ka hyrë në fuqi më 1 janar, e miratuar nga Këshilli komunal në nëntor të vitit të kaluar, një metër kub ujë nga ujësjellësi publik në Bujanoc tani kushton 73,21 dinarë për qytetarët, ndërsa 193 dinarë për kompanitë (personat juridikë).
Çmimi i ujit në Vranjë, për shembull, është 61.8 dinarë, por banorët e Vranjës kanë artikuj shtesë siç është tarifa për trajtimin e ujit, kështu që një krahasim i thjeshtë i çmimeve për metër kub ujë nuk është relevant.
Përkundër rritjes së çmimit, fakti është se furnizimi me ujë në Bujanoc dhe fshatrat përreth ka kohë që, thënë më së buti, është i keq, – me mungesa të shpeshta, sidomos gjatë verës, për të cilën portali ynë ka shkruar vazhdimisht.
Qytetarët do të paguajnë 29,04 dinarë për metër kub për kanalizim, ndërsa çmimi për grumbullimin e mbeturinave është rritur në 10,65 dinarë.
Shërbimet e tregut, si dhe lidhja dhe legalizimi i lidhjeve janë 20 për qind më të shtrenjta. Qytetarët do të paguajnë 10 për qind më shumë për mirëmbajtjen e varrezave.
Është rritur edhe çmimi i parkimit i cili në Bujanoc kushton 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Kështu, për një orë parkim në zonën e kuqe do të duhen 52,79 dinarë.
Sa për hir të krahasimit, një orë në ekstra zonën më të shtrenjtë në Vranje kushton 50 dinarë.