NDALOHET QARKULLIMI I TRAKTORËVE PA KABINË, NDAHEN FALAS KORNIZAT MBROJTËSE

Bujanoc, 5. prill 2024. Nga viti i ardhshëm, traktorët e prodhuar pas vitit 1983 nuk do të mund të qarkullojnë në trafik pa kabinë apo kornizë mbrojtëse.
Për të tretin vit radhazi, Agjencia për Siguri në Komunikacion ka shpallur thirrje publike për ndarjen falas të kornizave mbrojtëse për traktorët në Serbi ndërsa aplikimet zgjasin deri më 15 maj.
Ndihmësdrejtori i Agjencisë Serbe për Siguri në Trafik, Mirko Kokoviq, tha për Tanjug se qëllimi i shpërndarjes së kornizave falas është mbrojtja e shoferëve të traktorëve gjatë përmbysjes, gjegjësisht zvogëlimi i numrit të lëndimeve të shoferëve që ngasin traktor.
“Në Republikën e Serbisë, nga mbi 400.000 traktorë, mbi 150.000 traktorë janë pa kabinë apo kornizë mbrojtëse. Vetëm në vitin 2022 në Serbi humbën jetën 81 traktoristë, ndërsa vitin e kaluar 59. Në dy vitet e kësaj fushate arritëm të zvogëlojmë numrin e viktimave me 29. Vetëm në 10 vitet e fundit në trafikun rrugor të Republikës së Serbisë kanë humbur jetën mbi 350 traktoristë, ndërsa mbi 2000 janë lënduar”, tha Kokoviq.
Sipas tij, Qeveria e Serbisë është duke financuar të gjithë shumën e kornizës mbrojtëse dhe për këtë Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës ka ndarë 125 milionë dinarë për vitin 2022, 2023 dhe 2024.
Ai tregon se deri më tani janë shpërndarë mbi 7000 korniza mbrojtëse.
“Ftojmë të gjithë personat e interesuar fizik dhe juridik në territorin e Republikës së Serbisë të cilët i plotësojnë kushtet e Rregullores për kushtet dhe mënyrën e zbatimit të ndarjes së subvencionuar të kornizave mbrojtëse për traktorët e përdorur, që të paraqesin kërkesë në Agjencinë për Siguri në Komunikacion. deri më 15 maj 2024. Kërkesat dorëzohen në zarf të mbyllur në adresën: Bulevar Mihajla Pupina 2, 11070 Novi Beograd, me shënimin “Kërkesë për ndarje të subvencionuar të kornizës së re mbrojtëse”, ose përmes adresës elektronike të Agjencisë: ramovi@abs.gov.rs. “, tha Kokoviq.
Ai shtoi se kushtet e detajuara janë të disponueshme në faqen e internetit të Agjencisë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *